Emisari i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë–Serbi Richard Grenell, në një intervistë ekskluzive për T7, duke folur për relacionit SHBA-Kosovë për të cilin në Kosovë u debatuar shumë muajve të fundit, ka thënë se populli amerikan e do popullin e Kosovës.
“Jemi të përkushtuar ndaj popullit të Kosovës, por kur kemi politika, Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane, populli amerikan, fillon të ketë rregulla për ndihmat tona. Ne nuk duam të jemi në aso pozicioni që ndihmat tona të jenë të garantuara, pavarësisht çfarë ndodh në anën tjetër”, ka theksuar ai.
“Duam që të largohet taksa në mënyrë që të vazhdojnë bashkëpunimi dhe puna jonë dypalëshe”, ka thënë ai.
Grenell ka thënë se SHBA beson se taksa ishte duke e dëmtuar popullin e Kosovës.
“Ne besojmë se taksa duhet të largohet pa mëdyshje dhe menjëherë, sepse po e lëndonte popullin e Kosovës. Nuk është duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik, që është qëllimi ynë, prandaj ne ishim duke u siguruar që të gjitha agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara do ta përkrahnin atë politikë”, ka theksuar Grenell.
Duke folur rreth raporteve me qeverinë e re që pritet të krijohet në Kosovë pas mocionit të mosbesimit ka insistuar që qeveria e re duhet ta heq taksën.
“Shikoni, ne nuk do të përfshihemi në politikë. Populli i Kosovës do ta zgjedhë qeverinë e vet, ata do ta zgjedhin udhëheqësin e vet, por Shtetet e Bashkuara do t’i zgjedhin politikat e veta dhe politika jonë është shumë e qëndrueshme, pavarësisht kush është në detyrë. Taksa duhet të hiqet, sepse ne besojmë se taksa 100 për qind që e ka Kosova është duke e dëmtuar ekonominë tuaj”, ka nënvizuar ai.
Tutje ai ka potencuar se SHBA po përpiqet ta ndihmojë Kosovën, ta ndihmojnë Serbinë, tërë rajonin, për ta krijuar një zonë apo rajon që ka vende pune dhe shpresë për të rinjtë në mënyrë që ata të qëndrojnë në rajon dhe të kenë vende pune cilësore, të rriten familjet e tyre dhe ato familje të kenë mirëqenie duke dhënë edhe një herë të njëjtën porosi.
“Taksa të hiqet dhe pastaj ne mund të bashkëpunojmë në rrugë të gjera”, thotë Grenell.