×
  • Lajme
  • Lajme / Marrëdhënie

    Amerika në sytë e të rinjve Rom, Ashkali dhe Egjiptian: Përfaqësimi institucional i komuniteteve në Kosovë, atribut i SHBA-së

    Autor:Ergjan Mehmeti
    17 Shtator 2024 | 14:46
    Fotografi ilustruese

    “Amerika”, kjo fuqi e politikës botërore, modeli më i përhapur dhe i pranuar i të drejtave civile si dhe shpresa më e madhe e një pjese të botës, padyshim se është shteti që universalisht kuptohet si “diçka” përmes së cilës, ne ëndërrojmë të jemi pjesë e saj.

    Sikur për shumicën, natyrshëm edhe për pjesëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, “Ëndrra Amerikane” mbetët, jo veç imagjinatë, por edhe përpjekje që dikur, në një ditë, të afërt apo të largët, edhe mund të “preket” (realizohet).

    Kjo nënkupton të jetuarit në një shtet ku pabarazia është zhdukur që moti. Të drejtat civile nuk diskutohen fare. Çështjet gjinore tashmë janë tejkaluar, e ku debati kryesor, shoqëror e shtetëror është e ardhmja.

    Kështu së paku i mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian, në Kosovë.

    Jo vetëm kaq. Për ta, Amerika është mburoja dhe qetësia pa të cilën Kosova nuk funksionon dot.

    Ardijan Krasniqi është student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ai thotë se SHBA-ja ka ndikuar në zvogëlimin e diskriminimit në Kosovë.

    “Amerika luan një rol shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e territorit dhe ruajtjen e qetësisë në Kosovë. Ndihma e saj ka qenë e madhe, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Amerika ka lehtësuar jetën e lirë dhe ka mbrojtur komunitetin tonë nga diskriminimi, si dhe ka ndihmuar përmes fondeve për OJQ-të. Prania e Amerikës dhe trupave të saj në Kosovë është garancia për ruajtjen e rendit dhe qetësisë”, shprehet Krasniqi i cili i takon komunitetit Egjiptian.

    Perceptim të ngjashëm ka edhe student tjetër, Valon Berisha, njëherësh edhe aktivist i shoqërisë civile nga komuniteti Ashkali.

    Gjëja më mbreslënëse sipas Berishës është “demokracia dhe hapësira që i jepet çdo banori dhe shtetasi në Amerikë”.

    Tek komuniteti i tij, “dora” amerikan më së shumti ka prekur fushën e edukimit.

    “Amerika ka një rol të rëndësishëm në shtet-ndërtimin e Kosovës dhe vazhdon të ndikojë në shumë aspekte, duke përfshirë rininë dhe ekonominë. Ajo ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë në mënyra të ndryshme. Ndihma amerikane ka qenë e rëndësishme në çështjet e sigurisë dhe edukimit përmes projekteve të ndryshme”, thotë Berisha.

    Për deputetin Egjiptian, Fridon Lala, përfaqësimi institucional i minoriteteve në Kosovë është një atribut i aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të.

    “Kosova është me fat që gëzon aleanca të fuqishme me shtete perëndimore, ku ajo me Amerikën është më e veçanta. Roli i Amerikës në formësimin e Republikës së Kosovës është i pakontestueshëm, me ndikim vendimtar në lirinë, pavarësinë dhe çdo proces të shtet-ndërtimit. Përfaqësimi institucional i minoriteteve në Kosovë është një atribut i aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të”, thekson Lala, deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Sipas tij, partneriteti me SHBA-në është i i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

    “Mendësia që shoqëria duhet të ofrojë mundësi të barabarta, besimi dhe angazhimi për arritjen e qëllimeve, si dhe prioriteti i të drejtave civile janë disa nga aspektet që vlerësoj më shumë në kulturën amerikane. Partneriteti me SHBA-të është i menduar dhe planifikuar mirë, dhe është i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”, shprehet Lala.

    *Ky artikull u realizua nga platforma mediale “Factorial“, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Autori i këtij artikulli është një prej gjashtë (6) të rinjve të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë që po përgatiten si gazetarë të ardhshëm profesionistë, përmes këtij projekti. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!