×
  • Lajme
  • Lajme

    Amerika pas njohjes nga Izraeli: Do t’i qëndrojmë në krah Kosovës

    Reporteri
    03 Shkurt 2021 | 11:57

    Vendosja e raporteve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit po cilësohet si një zhvillim historik.


    Kjo njohje për Kosovën po cilësohet si një prej më të rëndësishmeve në dekadën e fundit, e cila ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit të nënshkruar në Washington nga Avdullah Hoti e Aleksander Vuçiq gjatë kohës kur Administrata amerikane drejtohej nga presidenti Donald Trump.

    Implementimi i një marrëveshje të tillë është përshëndetur edhe nga Administrata e re e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se dita e vendosjes së raporteve diplomatike mes dy shteteve ishte një ditë historike.

    Zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë që të jenë në krah të Kosovës përgjatë rrugës drejt integrimit në instancat euro-atlantike.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për formalizmin e raporteve diplomatike. Kjo ditë ishte historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e paqes dhe prosperitetit për të dy rajonet. Kur partnerët tonë janë të bashkuar, SHBA është e fortë. Amerika do t’i qëndrojë në krah Kosovës derisa vazhdon të lëvizë përpara drejt rrugës euro-atlantike”, ka thënë Price.

    Megjithatë vendimi që Kosova të vendos Ambasadën në Jeruzalem nuk i ka pëlqyer fare Bashkimit Evropian. Zëdhënësi Peter Stano një vendim të tillë e ka cilësuar si të “vendim fatkeq”.

    Vendosja e raporteve diplomatike dhe njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është pritur fare mirë as nga Serbia. Gjithashtu edhe Liga Arabe e ka kritikuar një vendim të tillë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!