×
  • Lajme
  • Lajme

    Analisti amerikan: Dorëheqja e Haradinajt ka krijuar një boshllëk që mund të zgjidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme

    Reporteri
    25 Korrik 2019 | 23:15

    Analisti amerikan Edward P. Joseph thotë se për një çështje të rëndësishme si marrëdhënia e Kosovës me Serbinë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës.


    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit Johns Hopkins, thekson se dorëheqja e Haradinajt ka krijuar një boshllëk që mund të zgjidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Sipas tij është e rëndësishme të ketë një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël në përpjekjet për rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

    “Për një çështje tepër të rëndësishme si marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson në mënyrë të saktë vullnetin e gjithë popullit të Kosovës, shqiptarët dhe serbët. Mendoj se është e vështirë të vazhdohet në kushtet e një gjysmë-boshllëku, ku pasi largohet një kryeministër, ai zëvendësohet me një tjetër, jo me procesin e duhur politik. Pra jo përmes funksioneve të rregullta parlamentare, por përmes faktorëve të jashtëm. Unë nuk i shoh zgjedhjet si pengesë. Dialogu ka ngecur për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe. Pra, unë nuk e shoh si pengesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar ai për Zërin e Amerikës.

    Kurse lidhur me ndikimin që do të ketë dorëheqja e Haradinaj në dialogun Kosovë-Serbi, Joseph ka thënë se varet se si këto dy vende e shohin çështjen.

    /;Mendoj se është e rëndësishme të ketë një qeveri të zgjedhur, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël. Ata që duan ndarjen e Kosovës, që unë mendoj se është një ide e rrezikshme dhe jo në interes të shqiptarëve, serbëve ose rajonit, mund ta shfrytëzojnë këtë situatë sepse ajo mund ta lërë Presidentin Thaçi pa një kundërshtar të fortë në këtë çështje. Kështu që disa njerëz mund të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë. Në këndvështrimin tim kjo do të ishte e gabuar. Kjo nuk do të ishte mënyra e duhur për të rifilluar një dialog të mirëfilltë”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!