Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se në takimin e 12 korrikut midis Kosovës dhe Serbisë mund të priten hapa të tillë si përmirësimi i tregtisë apo rritja e investimeve.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk sheh shteg drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Joseph thotë se aktakuza e paraqitur kundër presidentit Hashim Thaçi është serioze dhe e ndërlikon tutje përfaqësimin e Kosovës në dialog. Sipas tij, arkitektura që ka ngritur Shtëpia e Bardhë rreth presidentit Thaçi është shembur.
“Janë disa hapa. Mund të lëvizin në drejtim të rritjes së tregtisë. Kjo është sigurisht një mundësi. Ky është një vizion që ka pasur edhe [Richard] Grenell [i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi]. Është mirë të përmirësohen tregtia dhe investimet. Pastaj, janë hapat që kanë ngecur në dialogun ekzistues. Le të kthehemi prapa këtu. Ky dialog nuk është i ri, ka nisur në vitin 2013 dhe ka dalë nga një bashkëpunim shumë i ngushtë diplomatik midis SHBA-së dhe BE-së. Kjo edhe ka çuar në Marrëveshjen e Brukselit më 2013. Por, problemi është se procesi, hap pas hapi, ka ngecur. Dhe, ka shumë hapa konkretë praktikë që mund të bëjnë ndryshime në jetën e njerëzve, që mund të adresohen, që do të ishin pozitivë dhe do të përmirësonin atmosferën dhe potencialisht marrëdhëniet. Por, a e arrijnë ata atë që BE-ja ka thënë se është qëllim: marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe detyruese? A arrihet kjo? Unë nuk e shoh shtegun drejt saj, ndoshta të tjerët po, por unë nuk shoh shteg”, ka thënë ai.