Analisti gjerman, Weber: Aktakuza, frikë e prokurorit se Thaçi synon të negociojë amnisti

Bodo Weber, analist nga Berlini, njëherësh njohës i zhvillimeve në Ballkan, tha se publikimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë një gjë “e pritshme dhe e papritshme”.


Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se të gjitha përpjekjet e Thaçit për marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, tash e tre vjet, “kanë qenë treguesi më i mirë se ai do të akuzohej”.

Weber tha se vendimi i Prokurorisë Speciale për të publikuar aktakuzën ka lidhje me takimin e planifikuar në Uashington, midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, më 27 qershor.

“Kjo duket se i konfirmon edhe informacionet në prapavijë se që nga fillimi i negociatave është intervistuar disa herë nga përfaqësuesit e Prokurorisë, për të cilat, ndryshe nga politikanët e tjerë në Kosovë, nuk e ka informuar publikun. Sidoqoftë, lëshimi i pazakontë i informacionit mbi aktakuzën para konfirmimit nga Gjykata sugjeron se kjo është e lidhur me raundin e bisedimeve të së shtunës në Shtëpinë e Bardhë dhe frikën e prokurorit që presidenti Thaçi synon të negociojë një lloj amnistie”, tha Weber.

Ai është i mendimit se duhet pritur dhe parë se çfarë ndërlikimesh do të ketë kjo për vazhdimin e dialogut, për takimin në Uashington dhe për samitin e planifikuar në Paris.

“Aktorët perëndimorë kanë qenë të vetëdijshëm me vite se momenti kur publikohen aktakuzat mund të jetë një pengesë e rëndësishme për dialog. Gjykuar nga reagimi i fundit ndaj një deklarate të këshilltarit të ish-kryeministrit [Albin] Kurti për krimet e luftës, të kryera nga shqiptarët e Kosovës, nuk do ta përjashtoja mundësinë që pala kosovare t’i braktisë të dyja takimet”, tha Weber, duke shtuar se, megjithatë, presidenti Thaçi duket se është tashmë në rrugë për në Uashington.

Me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë thirrur për takim në Uashington më 27 qershor.

Presidenti Thaçi e ka anuluar vizitën, ndërsa palën kosovare do të përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti.

Tre ditë para këtij takimi, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ngriti aktakuzë në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, si dhe personave të tjerë, emrat e të cilëve Zyra e Prokurorisë nuk i ka publikuar.

Aktakuza prej dhjetë pikësh thotë se ata akuzohen për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me detyrim, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë në aktakuzë janë përgjegjës për afro 100 vrasje.