×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi në Strasburg

    Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Ahmeti: Situata duket e favorshme, besoj se nesër do ta kemi një lajm pozitiv

    Reporteri
    15 Prill 2024 | 18:09

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti është optimist se nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës do të jepet drita e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Ahmeti ndodhet në Strasburg dhe në një lidhje direkte në Frontal të T7 tha se situata para votimit të nesërm po duket e favorshme për Kosovën.

    “Po duket situatë e favorshme. Kemi bërë një punë të gjatë edhe me deputetët, që janë 300”, tha ai.

    Ahmeti tha se votimi pro nuk merret i mirëqenë dhe se po punojnë që nesër Kosova ta marrë lajmin e mirë.

    “Duket situatë e mirë, por kjo nuk do të thotë që e marrim për të mirëqenë. Do të punojmë deri në minutat e fundit që nesër ta kemi një ditë të suksesshme”, tha ai.

    “Mbështetja është aty dhe besoj që nesër do ta kemi një lajm pozitiv nga diplomacia e Kosovës”, tha Ahmeti.

    I pyetur për angazhimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, zëvendësministri përsëriti se po punojnë për të treguar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

    “Ajo çfarë arrin të bëjë Serbia është dezinformomi dhe të ndikojë tek ata që kanë hamendje se çfarë duhet të bëjnë. Por ne jemi duke punuar e biseduar me secilin për t’i treguar ashtu siç kanë bërë edhe juristët ndërkombëtarë, që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, tha Ahmeti.

    Pak më herët, Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet njoftoi se në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës sot është votuar unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

    Knaus u lajmëra përpara objektit të KiE në Strasburg, nga ku tha se votimi ishte “unanim”, përpara “votimit historik” në seancën e nesërme kur Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.

    Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

    Asambleja Parlamentare do të diskutojë nesër për këtë dhe nëse ajo e jep dritën e gjelbër, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!