×
  • Lajme
  • Lajme

    Anëtarësimi i Kosovës në OKB, Selimi: S’ezkiston ky premtim, është taktikë e Vuçiç

    Reporteri
    12 Tetor 2022 | 13:02
    Ish-ministri kosovar i jashtëm. Petrit Selimi

    “Taktikë të Aleksandar Vuçiç” i ka quajtur ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, deklarimet e presidentit serb se po i ofrohet lejimi i anëtarësimit të Kosovës në Kombe të Bashkuara në këmbim të anëtarësimit të përshpejtuar të Serbisë në Bashkimin Evropian, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Referuar edhe një propozimi të përfolur si “franko-gjerman”, Selimi tha se ajo është shpikje e Vuçiç’it për të “përgatitur publikun për ‘fitoren’ e madhe në parandalimin e ulëses në OKB”.

    “Nuk ka ulëse të premtuar [për Kosovën] në OKB. Kjo është shpikje tipike e Vuçiçit për të përgatitur publikun për ‘fitoren’ e tij të madhe në parandalimin e ulëses në OKB për Kosovën. Ai shpik këso betejash dhe fitoresh”.

    “Në këto momente, me Rusinë gjenocidiale dhe Kinën arqimësore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shtegu për anëtarësimin e Kosovës në OKB është i ngushtë”, ka shkruar Petrit Selimi në një cicërimë në Twitter.

    Kohëve të fundit presidenti serb ka deklaruar se ekziston një propozim i hartuar nga Franca dhe Gjermania sipas të cilës Serbisë i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare, ku si këmbim Serbisë do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Unionin Evropian.

    Aleksandar Vuçiç e ka quajtur “të papranueshme” për Serbinë një “propozim” të tillë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!