Anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur në selinë e kësaj organizate për të përcjellur seancën ku Gjykata Speciale do të shpallë sot aktgjykimin ndaj dy ish-drejtuesve të OVL e UÇK’së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Ata akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Prokuroria ka insistuar se të dy ata, të organizuar, kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e Gjykatës Speciale, si dhe të pengojnë punën e saj.
“Ata i kryen krimet, sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak kundër dëshmitarëve”, ka thënë prokurori i rastit, James Pacen, në fjalën e tij përfundimtare.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar që ata të dënohen me nga gjashtë vjet burgim dhe një gjobë prej 100 euro.
Dy drejtuesit e OVL e UÇK’së janë deklaruar të pafajshëm gjatë gjykimit.
Ata i kanë cilësuar Dhomat e Specializuara të Kosovës si “gjykatë njëetnike” që, siç kanë thënë, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, krimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë. /Reporteri.net