Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, i cili është edhe djalë i veteranit, ka reaguar pas protestës që u mbajt sot nga OVL e UÇK’së, duke thënë se veteranët janë fundamenti i shtetit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Hajdari ka krahasuar trajtimin që iu bëhet veteranëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atyre në Kosovë.
Sipas tij, Qeveria Kurti nuk i trajton me dinjitet veteranët, duke shtuar se Qeveria u jep atyre “injorim, anashkalim dhe përbuzje”.
“Qeveria nuk i trajton me dinjitet veteranët, sepse ajo nuk do veteranë të dinjitetshëm. Në vend të “Thank you for your service!” Që është formulë respekti ndaj veteranëve në SHBA, Qeveria Kurti iu jep atyre injorim, anashkalim, përbuzje. Veteranët kryeministrit nuk i kanë asnjë faj, përveç një faji që ai nuk ua fal kurrë: ata guxuan, kur ai nuk guxonte”, ka shkruar Hajdari.
Ndryshe, sot nga ora 10:00, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë filluar protestën duke kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në pagën minimale. Kjo protestë eskaloi pasi të njëjtit tentuan të hyjnë brenda sallës së Kuvendit, gjë që çoi në përdorimin e gazit lotsjellës.
Lidhur me këtë protestë, është deklaruar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk kanë qenë ata që kanë përdorur gaz lotsjellës, por që ishin protestuesit ata që përdorën.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës.”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se nuk janë lajmëruar nga kjo organizatë se do të mbajnë protestë, mirëpo sipas detyrës zyrtare janë kujdesur për mbarëvajtjen e saj.