Një prej anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Seb Bytyçi, ka reaguar në fjalimin e deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, në Kuvend.
Hoxha ndër të tjera tha se njëri prej anëtarëve të rinj të KSHC-së e ka kërcënuar, por nuk ka përmendur emër. Emrat i ka përmendur teksa ka folur për angazhimet e tyre në institucione të tjera.
Pak minuta më vonë, Seb Bytyçi, ka shkruar një postim në Facebook, dhe ka paralajmëruar padi për shpifje.
“Fatkeqësisht, gjatë diskutimit për KSHC-në në Kuvend, deputetja Eliza Hoxha i tha disa gjëra rreth kandidaturës sime që janë të pavërteta. Kjo ndodhi me gjithë faktin se e vërteta reflektohet në CV-në time, si dhe me gjithë faktin se unë ia kam sqaruar të vërtetën zonjës Hoxha përmes emailit si dhe në një emision televiziv. Unë në momentin e kandidimit jam i angazhuar vetëm në Riinvest! Përsëritja e të pavërtetave me gjithë faktin se ia kam sqaruar të vërtetën përbën shpifje, për të cilën do ta padisë deputeten, nëse znj. Hoxha nuk i tërheq ato që i ka thëne publikisht”, ka shkruar Bytyçi.