Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, ka mohuar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga posta e KQZ-së në Zagreb dhe të njëjtat i ka dërguar në Ambasadë.
Krasniqi në mbledhjen Qeverisë ka pretenduar se raportimet për këtë rast janë të pavërteta, pavarësisht se Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se ka nisur hetimet për këtë rast, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Krasniqi sulmoi edhe mediat duke e cilësuar mënyrën e raportimit për rastin si “tejet të ulët”.
“…I njëjti ka të bëjë edhe me lajmin e djeshëm që u dha me shumë pompozitet se gjoja një ambasador bëri kështu apo ashtu. Tërësisht e pavërtetë prej kontekstit qysh e keni trajtu. Si mënyrë e informimit për vete mendoj se është tejet e ulët, përpjekje për me denigru institucionin, qoftë KQZ-në, MPB-në apo edhe ambasadorin në fjalë. Le ta hetojë edhe Prokuroria dhe ta vërtetojë se çka është ajo që është tentuar të paraqitet. Le të tregojë edhe KQZ se ato 10-20 zarfa sa kanë qenë janë tërhjekë për shkak të presionit të postës për me u tërhjekë dhe janë tërhjekë nga ekipet e autorizume”, tha ai në mbledhjen e KQZ-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë të enjten ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Prokuroria tha se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”
Në njoftim u tha se Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.
Lidhur me këto dyshime ka reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare është bërë sipas akteve nënligjore.
Ai tha se KQZ do të marrë një vendim përkatës dhe meritor pas shqyrtimit të situatës.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb, sqarojmë se do të vlerësohet nëse kjo është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor,” ka thënë Elezi. /Reporteri.net/