Sami Ahmetaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në degën në Pejë, ka dhënë dorëheqje pas 13 vitesh në këtë parti.
Ai ka treguar arsyet se pse ka vendosur të jap dorëheqje nga partia e Albin Kurtit, teksa ka shpërthyer në kritika për këtë të fundit.
Sipas tij janë disa arsye të dorëheqjes, duke e theksuar atë se Albin Kurti nuk i do në parti njerëzit që kanë mendim ndryshe, thotë se ata i margjinalizon në publik.
“Arsyeja e parë është se më Albinin kam pas probleme në një tubim në Pejë kur është prezentu slogani i tij PANhajnia. Unë si ish-luftëtar i UÇK-së e kam kundërshtu këtë edhe i kam thënë se në aspektin politik, strategjikisht është e mirë, por ndershmërisht nuk është korrekte.
Albini më ka thirr disa herë në emër dhe ai i njeh varësisht qysh ti teket, por ata që kanë pasur mendim ndryshe, Albini zakonisht i ka margjinalziu në publik. Unë e kam kundërshtu këtë logjikë”, tha Ahmetaj për Gazetën Express.
Ai thotë se problemet me Albin Kurtin kanë filluar që nga viti 2019, kur kishte ndryshuar statutin e partisë që ia lejonte edhe të bëhet kryeministër edhe kryetar i partisë.
“Problemi i dytë ka qenë kur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2019, Albini e ka ndërru nenin për me pas të drejt të jetë edhe kryeministër edhe kryetar i partisë që ka qenë në kundërshtim me konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
I pyetur se pse nuk ka dhënë dorëheqje më herët, meqenëse përmendi se ka pasur probleme në parti vite më parë, ai tha se edhe procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në Pejë ka qenë i komprometuar.
“Unë kam mendu që po gjej mbështetje, kam kërku mbështetje dhe nga zyra e LVV-së. Ata e kanë një lloj frike, lufta e tyre ka qenë me dal në foto me Albinin.
Unë kam kërku bashkëbisedim me ta kam bisedu në telefon edhe me Valon Hotin, ja kam shpreh pakënaqësitë e mia edhe për procesin zgjedhor për kandidatët në Pejë, aty ka qenë procesi fort i kompromentuar, kështu që ai e ka ditë”, shtoi Ahmetaj.
Tutje, ai tha se edhe Lëvizja Vetëvendosje është kapur nga Albin Kurti dhe një grup i tij.
“Vetë njerëzit e LVV-së e kane kapur Vetëvendosjen, Albini me një grup të tij”.
I pyetur nëse e ka ndërmend ta vazhdojë aktivitetin e tij politik, Ahmetaj tha se më shumë e gjen vetën në AAK.
“Unë në parti politike nuk e kam mendu me hy, por ndoshta edhe hy. Më mirë e gjej vetën në AAK”, përfundoi ai.