×
  • Lajme
  • Lajme

    Anulimi i vizitës së Lavrov, DASH thirrje Serbisë: Ndërmerrni hapa për të avancuar në rrugën evropiane

    Reporteri
    07 Qershor 2022 | 9:34

    Departamenti Amerikan i Shtetit është deklaruar rreth vendimit të Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të ndaluar avionin e Sergei Lavrov, duke sjellë si rezultat anulimin e vizitës në Serbi.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një konferencë për shtyp se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Serbisë të fokusohet në qëllimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me pjesën tjetër të Evropës”, raporton Zëri i Amerikës, transmeton Reporteri.net.

    “Ne vazhdimisht i bëjmë thirrje Serbisë që të ndërmarrë hapa për të avancuar në rrugën evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë, reduktimin e varësisë së energjisë nga Federata Ruse dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Ne vazhdojmë të dëshirojmë të jemi partneri i Serbisë dhe ta ndihmojmë atë në përpjekjet për të forcuar sigurinë energjetike në afat të gjatë”, tha Price.

    Price tha se veprimi i tri vendeve ishte një vendim sovran i vendeve sovrane dhe theksoi se ato janë vende të aleancës.

    “Të tri vendet janë anëtare të NATO-s dhe angazhimi në bazë të Nenit Pesë (të NATO-s) ndaj këtyre vendeve është i palëkundur. Vetëm dje ne shënuam pesë vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në mars dy vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

    Njoftimi për vizitën e Lavrovit në Serbi u bë disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një bisede telefonike më 29 maj, u pajtuan për një marrëveshje të re të furnizimit të Serbisë me gazin natyror rus.

    Lavrov së bashku me Putinin janë në listën e sanksioneve të shumë shteteve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të vetmet vendeve në Evropë që ata mund të udhëtojnë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
    Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!