×
  • Lajme
  • Lajme

    Anulohet seanca ndaj mjekëve të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 13:12

    Në mungesë të prokurores Javorka Perlinçeviq, është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër mjekëve Vjosa Zejnullahu, Myzeine Muja, Selman Demolli dhe Bashkim Sheholli, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

    Një gjë e tillë u bë e ditur nga gjykatësi i rastit, Avni Syla i cili njoftoi se prokurorja Perlinçeviq ka dërguar parashtresë përmes të cilës ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe personale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Andaj, seanca e sotme është anuluar, kurse e radhës u caktua për një datë tjetër.

    Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë në QKUK-KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke vepruar me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacientin, kanë përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës – tani të ndjerës S.F.

    Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në emergjencë apo në terapi intensive, duke nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e gjakut, duke vlerësuar gabimisht gjendjen e pacientes dhe anashkaluar konsultimin e transfuziologut.

    Siç thuhet në aktakuzë, e akuzuara Zejnullahu duke e ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente dhe nuk ka dërguar qesen me gjak, për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës, duke ditur faktin se ka grupe të ndryshme të gjakut dhe duke e shkatërruar si provë kryesore në këtë rast.

    Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Demolli dhe Muja nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit, sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuzuiologun pasi të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë që të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me antireaksion (terapi për reaksion post-tranzionit), pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur neurologun, tani të akuzuarin Sheholli.

    Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar të bëhet CT e trurit të pacientes dhe anashkaloi konsultën me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomanduan mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vjen deri te vdekja e të dëmtuarës S.F.

    Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par. 4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!