×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi

    Apeli anulon pjesërisht aktgjykimin e Themelores në rastin e keqpërdorimeve lidhur me tenderin për Autostradën e Gjilanit

    Reporteri
    02 Qershor 2025 | 21:00

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të akuzuar për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit. Apeli ka anuluar aktgjykimin për pikat II, IIa dhe IIb për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në vazhdimësi, vepër për të cilën akuzohet Reçica dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

    Ndërsa, vërtetohen pikat I, III, IV, V të aktgjykimit të Themelores kundër katër të pandehurve në drejtim të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shpëlarja e parave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.5/21, të datës 07.05.2024, vetëm për pikat II, IIa dhe IIb të dispozitivit të aktgjykimit, për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK, ashtu që çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim, ndërsa ka refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke e vërtetuar aktgjykimin në fjalë, sa i përket pikës I, II, IV dhe V”, thuhet në njoftimin e Apelit.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 7 maj 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

    Apeli thekson se Themelorja kishte liruar Reçicën nga akuza për “Ushtrim ndikimi”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në vazhdimësi dhe “Shpëlarja e parave” dhe “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, si dhe të akuzuarit Berisha, Emini dhe Llimani, pasi nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje.

    Apeli ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë përkitazi me pikën II, IIa dhe IIb, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Sipas Apelit, nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur me vlerësimin e gjendjes së fakteve të vërtetuara me provat e administruara.

    “Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar aktgjykimin e ankimuar dhe pretendimet ankimore të prokurorisë, si dhe sipas detyrës zyrtare, ashtu që ka konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë për pjesën dënuese, përkitazi me pikën II, IIa dhe IIb të dispozitivit është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1 nënparagrafi 10 dhe pargrafi 2 nënparagrafi 2.7 lidhur me nenin 369 paragrafi 6 dhe 7 të KPP, për shkak se aktgjykimit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, përkatësisht nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur vlerësimin e gjendjes së fakteve të vërtetuara me provat e administruara”, thuhet në njoftim.

    Kurse, sa i përket pikave I, III, IV dhe V., të aktgjykimit të shkallës së parë, Apeli gjen se këto pika janë të qarta, të kuptueshme dhe konkrete. Për këtë pjesë të aktgjykimit, shkalla e dytë gjen se është bërë vlerësim i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike.

    “Gjithashtu, kolegji gjykues lidhur me pretendimet ankimore të prokurorisë përkitazi me pikat I, III, IV dhe V të dispozitivit të këtij aktgjykimi, ka vlerësuar se këto pika janë të qarta, të kuptueshme dhe konkrete. Ndërsa, sa u përket pretendimeve ankimore për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se këto pretendime janë të pabazuara dhe se gjykata e shkallës së parë ka bërë një vlerësim të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në njoftim.

    Në vendimin e Apelit, thuhet se ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte parashtuar brenda afatit ligjor Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), duke propozuar që të akuzuarit t’i dënojë apo rastin ta kthejë në rigjykim.

    Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Flamur Bllacaku kishte parashtruar ankesë duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

    Prokuroria e Apelit përmes parashtresës së datës 22 gusht 2024, kishte propozuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet si e bazuar, ndërkaq ankesa e avokatit Bllacaku të hudhet si e palejuar.

    Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

    Sipas Apelit, Themelorja përkitazi me vendimin lidhur me pikat II, IIa dhe IIb, nuk ka paraqitur arsyetim për faktet vendimtare që kanë ndikuar që gjykata të sjellë atë vendim, duke bërë që vendimi përfshihet në shkelje esenciale që e kushtëzojnë anulimin e vendimit.

    Kolegji vlerëson se nuk është e mjaftueshme vetëm të paraqiten provat të cilat janë administruar, por duhet të konstatohet se çka është vërtetuar me ato prova dhe a është vërtetuar se akuzuari nuk e ka kryer veprën për të cilën është liruar nga akuza.

    Apeli ka sqaruar në vendim se shkalla e parë është mjaftuar vetëm me konstatimin se vendimi i të akuzuarit Reçica për shtesa në paga për disa zyrtarë ka qenë i bazuar për nevoja të institucionit, por nuk e ka sqaruar nëse ky vendim ka qenë brenda kompetencave të tij.

    “Megjithatë, kolegji vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë asnjë arsyetim nëse ky vendim i të akuzuarit ishte apo jo brenda kompetencave të tij zyrtare si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në vendim.

    Pra, sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka trajtuar çështjet vendimtare që lidhen me objektin e aktakuzës.

    “Pra, Gjykata e shkallës së parë nuk ka trajtuar çështjet vendimtare që përbëjnë objektin e akuzës: nëse Ministria e Infrastrukturës ka pasur një kërkesë buxhetore të miratuar për këto shtesa dhe nëse vendimi për kompensim, si akt individual, është nxjerrë brenda kompetencave ligjore të të akuzuarit, apo në kundërshtim me procedurat e përcaktuara për propozimin dhe miratimin e shtesave në paga”, thuhet tutje në vendim të Apelit.

    Gjithnjë sipas Apelit, rrethanat si më lartë janë thelbësore për të vlerësuar nëse veprimet e të akuzuarve kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Po ashtu, Apeli ka theksuar se Themelorja nuk ka trajtuar nëse personat e përfshirë kanë pasur të drejtë kompensimi shtesë dhe a ishte rregulluar ky kompensim sipas ndonjë rregulloreje mbi menaxhimin e financave publike.

    Gjithashtu, në vendim thuhet se nuk është shqyrtuar nëse pagesat janë bërë në përputhje me normat për menaxhimin e financave publike dhe nëse i është shkaktuar apo jo dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu, Apeli gjen se mungon vlerësimi i deklaratave të dëshmitarëve si F.E.-S. dhe A. G., të cilët kanë dhënë dëshmi që lidhen me zbatimin e vendimeve administrative brenda ministrisë.

    Si rrjedhojë, Apeli vlerëson se këto shkelje përbëjnë arsye të mjaftueshme dhe të domosdoshme për anulimin e aktgjykimit në këto pika dhe kthimin e çështjes në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, në mënyrë që ajo të shqyrtojë dhe të arsyetojë në mënyrë të plotë dhe të ligjshme çështjet thelbësore që lidhen me përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

    Rekomandimet:

    Apeli thekson se në rigjykim, në raport me pikën II, IIa, IIb, Themelorja duhet të caktojë sërish shqyrtimin gjyqësor, t’i administrojë provat dhe të sigurohet që të evitojë të gjitha shkeljet procedurale dhe materiale të konstatuara nga kjo Gjykatë.

    Apeli ka rekomanduar që të specifikojë qartë cilat fakte i konsideron të vërtetuara dhe mbi cilat prova konkrete mbështetet për secilën pikë të aktakuzës; Të bëjë një vlerësim juridik të kompetencave zyrtare të të akuzuarit, duke shqyrtuar nëse vendimet për kompensime janë nxjerrë brenda kompetencave të tij ligjore si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.

    Tutje, të analizojë përputhshmërinë e vendimeve të të akuzuarit me aktet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht vendimet nr. 02/39 dhe 07/39, si dhe me procedurat e parashikuara për miratimin e shtesave në paga.

    Po ashtu, të vlerësojë ligjshmërinë e pagesave retroaktive, përfshirë ato që mbulojnë periudha që nga viti 2010, dhe të shqyrtojë nëse ekzistonte dokumentacion i rregullt dhe procedurë e ligjshme që mbështeste vendimet përkatëse.

    Gjykata e Apelit i ka gjetur si të pabazuara pretendimet e PSRK-së lidhur me pikat I, III, IV dhe V, duke sqaruar se shkalla e parë me drejtë ka ardhur në përfundim se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar qëllimi i të akuzuarit për të përfituar dobi pasurore për personin tjetër, në këtë rast operatorin ekonomik “Gjoka Konstruktion”.

    Apeli vlerëson se për katër pikat e lartpërmendura, arsyetimet përkatëse janë në përputhje të plotë me kërkesat ligjore të KPP-së, duke përfshirë arsye të qarta, të mjaftueshme dhe të argumentuara lidhur me të gjitha faktet dhe rrethanat e konstatuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, nga të cilat rezulton se nuk janë përmbushur elementet përbërëse të veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm dhe janë liruar nga akuza.

    Për më tepër, sipas Apelit, nuk është provuar asnjë lidhje direkte apo indirekte ndërmjet të akuzuarit Reçica dhe operatorit ekonomik në fjalë, që do të mund të përbënte bazën e një marrëveshjeje të paligjshme apo ndikimi të padrejtë.

    Gjithashtu, gjykata e shkallës së parë, gjithnjë sipas Apelit, me të drejtë ka ardhur në përfundim se nga provat nuk rezulton se i akuzuari ka tejkaluar kompetencat e tij në marrjen e vendimit për shpalljen e fituesit të kontratës për lotin 2.

    Për më tepër, në vendim thuhet se super-ekspertiza e grupit të ekspertëve të prokurimit ka konstatuar se operatori ekonomik “Gjoka Konstruktion” ka qenë operator i përgjegjshëm dhe ka ofruar ofertën më të lirë për shumën prej 543,919.08 €uro, duke përmbushur të gjitha kriteret teknike të tenderit.

    Dhe se sipas Apelit, nga ky vlerësim rezulton se nuk është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, pasi vendimi ishte në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe efikasitetit financiar.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

    Reçica akuzohet edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohet se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.

    Reçica ngarkohet edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.

    Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.

    Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!