×
  • Lajme
  • Lajme

    Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores për lirimin e zyrtarit të Komunës së Rahovecit nga akuza për korrupsion

    Reporteri
    21 Prill 2025 | 18:46

    Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, me të cilin kishte liruar nga akuza Sylejman Dakën, i cili në cilësinë e zyrtarit për shërbime publike në Komunën e Rahovecit, akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Gjykata Themelore në Gjakovë përmes aktgjykimit të 1 korrikut 2024, të akuzuarin Sylejman Daka e ka liruar nga akuza për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në vendimin e Apelit të marrë më 28 shkurt 2025, thuhet se kundër aktgjykimit të shkallës së parë, në afatin ligjor ka paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe çështja t’i kthehet Themelores në rigjykim dhe vendosje.

    Ndërsa, përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Daka, avokati Shaqir Zika, me propozim që të refuzohet ankesa e Prokurorisë, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Andaj, Apeli pasi që kishte mbajtur seancën e kolegjit dhe pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të kësaj çështjeje penalo-juridike, si dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesë dhe përgjigje të ankesës, kishte gjetur se ankesa e Prokurorisë nuk është e bazuar.

    Çka thuhet në ankesën e Prokurorisë?

    Sipas vendimit të Apelit, Prokuroia Themelore në Gjakovë ka parashtruar ankesë duke pretenduar se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale me arsyetimin se nuk përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare, gjegjësisht, ato që janë dhënë janë të paqarta dhe në masë të konsiderueshme në kundërthënie, sidomos, përkitazi me faktet vendimtare, e po ashtu, të njëjtat arsye janë në kundërshtim edhe me përmbajtjen e shkresave- provave të deponuara në këtë çështje penalo-juridike.

    Prokuroria ka pretenduar se Themelorja në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nuk i ka vlerësuar drejt dhe saktë faktet dhe provat e prezantuara nga prokurori, e po ashtu, e njëjta ka shpërfillur plotësisht pretendimet e akuzës nga ana e prokurorit.

    Kurse, thuhet se përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Daka, avokati Shaqir Zika, me arsyetim se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor pa dyshim që është vërtetuar se i akuzuari nuk ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke theksuar se gjykata e shkallës së parë, me të drejtë edhe e ka liruar të akuzuarin.

    Cilat janë gjetjet e Apelit?

    Në gjetjet e saj, Gjykata e Apelit ka theksuar se nuk qëndrojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas pretendimeve të Prokurorisë dhe se nuk ka shkelje të tjera të cilat kjo gjykatë i vëren sipas detyrës zyrtare, e që do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

    Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar duke përfshirë edhe arsyetimin, është i qartë dhe konkret, dhe se përmban arsye të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante në lidhje me çështjen penalo-juridike.

    Gjithashtu, Apeli ka gjetur si të bazuar konstatimin e Themelores se me provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari ka ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në rastin konkret, sipas Apelit, nuk është vërtetuar se i akuzuari t’i ketë shkaktuar personit tjetër OE “Agro Invest” çfarëdo dëmi, sikur që pretendohet në aktakuzë.

    Sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli gjen se këto pretendime nuk qëndrojnë, ngase gjykata e shkallës së parë, provat e proceduara i ka vlerësuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, andaj me të drejtë ka vlerësuar dhe analizuar faktet vendimtare.

    “Gjykata e Apelit, vlerëson se pretendimet ankimore të cekura si më lartë, nuk qëndrojnë, ngase, gjykata e shkallës së parë, provat e proceduara i ka vlerësuar me përputhje me dispozitat e nenit 360 të KPPRK-së, kështu që, drejtë i ka vlerësuar dhe analizuar faktet vendimtare, përkitazi me këtë në këtë çështje penalo – juridike në mënyrë të pa dyshimtë ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të së cilës edhe e ka liruar të akuzuarin nga akuza, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në vendim.

    Shkalla e dytë konstaton se është i drejtë konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se në veprimet e të akuzuarit Daka nuk përmbushen elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, duke pasur parasysh rrethanat e cekura më lartë, gjegjësisht, faktet jo kontestuese, që u cekën më lartë, pastaj, se me asnjë fakt apo rrethanë nuk vërtetohet se i akuzuari nuk ka bërë pagesën e të dëmtuarit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, apo, që t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës OE “A. I…“, thuhet në vendim.

    Andaj, Apeli vlerëson se me të drejtë shkalla e parë ka konstatuar se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë,

    “…ngase, përveç, pretendimeve në aktakuzë, se i akuzuari nuk e ka bërë pagesën të dëmtuarit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore apo shkaktimit të dëmit të dëmtuarës – pra, OE “A. I.”, me asnjë provë në shkresa të lëndës, por, as tani me ankesë, prokuroria nuk ka ofruar ndonjë provë që do të argumentonte pretendimin si në aktakuzë, atëherë, pretendimet ankimore të prokurorisë se i akuzuari është dashur të shpallet fajtor për këtë vepër penale, qartazi janë të pa bazuara e pa mbështetje në prova dhe në shkresa tjera të lëndës”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, thuhet se më 27 dhjetor 2022, në fshatin Krushë e Madhe dhe në fshatin Xërxë të Rahovecit, i pandehuri Sylejman Daka, në cilësinë e zyrtarit për shërbime publike në Komunën e Rahovecit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm presonit tjetër- të dëmtuarit kontraktuesit OE “Agro Invest” Sh.P.K., me përfaqësues të autorizuar Avdi Jakupin.

    Aktakuza thotë se duke mos përfillur procedurat ligjore të përcaktuara, si menaxher-mbikëqyrës i rrënimit, nuk e ka lejuar që të bëhet rrënimi i objekteve pa leje në vendet e lartpërmendura, por urdhëroi vetëm pjesërisht rrënimin e tyre.

    Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Daka është njoftuar në formë të shkruar nga aktvendimet e nxjerra nga inspektori i ndërtimit të Komunës së Rahovecit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 20 korrikut 2022, konkluzionit mbi lejimin e ekzekutimit të 7 shtatorit 2022 dhe aktvendimit të 30 shtatorit 2022 dhe konkluzionit mbi lejimin e ekzekutimit të rrënimit të 14 tetorit 2022, i akuzuari nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, ka urdhëruar vetëm pjesërisht rrënimin e tyre edhe pse në aktvendime thuhej të bëhet rrënimi i tërësishëm dhe trualli të kthehet në gjendjen e mëparshme.

    Me këtë, thuhet se i është shkaktuar dëm material të dëmtuarit Avdi Jakupi në shumë prej 8 mijë e 263 euro e 40 centë.

    Për këto veprime, Sylejman Daka akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. /

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!