×
  • Lajme
  • Lajme / Aktgjykimi

    Apeli vërteton dënimin me burgim ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e 2021-ës në Mitrovicë

    Reporteri
    24 Qershor 2025 | 19:49

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin Leutrim Selimi u dënua me dënim unik prej 21 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e M.K., në shkurt të vitit 2021 në Mitrovicë, kurse Bejtë Hasani i u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj burgim.

    Në këtë rast, Leutrim Selimi ngarkohej për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit, si dhe ngarkohej për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani akuzohej për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 30 dhjetor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Leutrim Selimit, duke e dënuar edhe në rigjykim me dënim unik prej 21 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj burgim.

    Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë kanë ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokati Naser Sopjani dhe ai të akuzuarit Hasani, avokati Skënder Musa, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza, t’iu shqiptohet dënim më i butë apo që rasti të kthehet në rigjykim.

    Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një shkrese ka propozuar që ankesat të refuzohen si të pabazuara, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Çka thuhet në gjetjet e Apelit?

    Kolegji i Apelit ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit Selimi, avokati Sopjani dhe atij të të akuzuarit Hasani, avokatit Musa, si dhe shkresat e tjera të lëndës, lidhur me shkeljet esenciale të procedurës penale, dhe ka ardhur në përfundim se nuk ka shkelje të tilla sikurse parasheh dispozita ligjore nga Kodi i Procedurës Penale.

    “Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar dispozitivin e aktgjykimit për të gjitha pikat sikurse janë pika nën I, përkitazi me veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 173 par. 1 nën par.1.11 të KPK, pikën II, sipas veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPK, sa i përket të akuzuarit Leutrim Selimi, pikën III, vrasje e rëndë në tentativë, nga neni 173 par.1 nën par.1.5 lidhur me nenin 28 të KPK, dhe pikën IV, sa i përket veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 366 par.1 të KPK dhe ka vlerësuar se secila pikë e dispozitivit është në harmoni me vetveten, si dhe me arsyet e dhëna, se pikat e dispozitivit janë të qarta, të kuptueshme, ngase përmbajnë arsye lidhur me faktet vendimtare të cilat i karakterizojnë veprat penale për të cilat i akuzuari është shpallur fajtor”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, shkalla e parë e ka marrë vendimin duke arsyetuar çdo pikë të tij, duke vlerësuar se çfarë duhet të përmbajë aktgjykimi, për cilat fakte duhet referuar, për të vërtetuar se të njëjtat janë vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

    “Gjykata e shkallës së parë, në arsyetim të aktgjykimit ka dhënë arsye për çdo pikë të tij, duke vlerësuar se çfarë duhet të përmbaj aktgjykimi, për cilat fakte duhet referuar, për të vërtetuar se të njëjtat janë vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, sepse janë zbatuar dispozitat përkatëse ligjore, e po ashtu ka dhënë arsye përkitazi me vlerësimin e saktësisë së provave, duke ardhur në përfundim se cila provë është me rëndësi për vendosjen e çështjes penale, si dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme për secilën pikë të aktgjykimit, me rastin e zgjedhjes së çështjes penale. Sa i përket propozimeve të ngritura nga ana e palëve në procedurë, po ashtu gjykata e shkallës së parë ka vendosur në kuptim të dispozitave përkatëse ligjore”, thuhet në vendim.

    Apeli vlerëson se afatet janë respektuar, se paanshmëria e ka karakterizuar gjykimin dhe se i njëjti ka qenë i drejtë.

    Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë drejt ka vendosur pasi që ka vlerësuar të gjitha provat të cilat janë proceduar dhe ka vërtetuar faktet përkitazi me ekzistimin e veprës penale dhe se ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale edhe ato materiale, dhe ka bërë dëgjimin e dëshmive.

    Gjithnjë sipas Apelit, Themelorja në rigjykimin e kësaj çështjeje ka vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit, se veprimet e ndërmarra nga kjo Gjykatë janë të bazuara në provat e nxjerra dhe se drejt ka vendosur kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë dhe ua ka shqiptuar dënimet përkatëse ligjore.

    Sipas Apelit, nga dispozitivi i aktgjykimit të Themelores rezulton se si motiv i fillimit të kryerjes së veprës penale ka qenë mosmarrëveshja në mes të dy grupeve, nga të cilat janë identifikuar Leutrim Selimi, si kryerës i veprës penale të vrasjes së rëndë, që ka rezultuar se është privuar nga jeta M.K., dhe është goditur i dëmtuari Behar Halili.

    Gjithashtu, në vendim thuhet se rezulton se pasi që ka ekzistuar mosmarrëveshja dhe fjalosja në mes të grupit “Proper Pica” dhe grupit të “Maestros”, është vërtetuar se ka ndodhur tentim vrasja ndaj Florim Sadikut.

    Andaj, Apeli konstatoi se Themelorja drejt ka vendosur kur dy të akuzuarit i ka shpallur fajtorë për veprat që iu vihen në barrë, pasi veprimet e ndërmarra nga kjo Gjykatë janë bazuar në prova.

    Apeli është i bindur se me dënimet e shqiptuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit- që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tyre, dhe të përmbajë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale.

    Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, për herë të parë e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj burgim.

    Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

    Në rigjykim më 30 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Mitrovicë dënoi Leutrim Selimin me dënim unik prej 21 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e M.K., në shkurt të vitit 2021 në Mitrovicë, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj burgim.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leutrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

    Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

    Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

    Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

    Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

    Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

    Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

    Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

    Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

    Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.

    Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

    Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

    Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

    Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

    Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

    Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!