Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, ka vlerësuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e pjesshme të taksës duke bërë thirrje për dialog midis dy Kosovës dhe Serbisë.
“E mirëpresim si hap të parë heqjen e paralajmëruar nga Kryeministri Albin Kurti të tarifave për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të hapë një dritare për rifillimin e Dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm ndaj rifillimit të Dialogut, në dobi të të dy vendeve”, ka deklaruar Apostolova për lajmi.net.
Ajo, ndërsa ka folur për heqjen e vizave ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të ndodhur kjo, por se duhen votat e shteteve anëtare që kjo të ndodh, gjithësesi ka porositur Kosovën për lobim të fuqishëm në këtë drejtim.
“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palët”, ka deklaruar ajo.
Ajo ndërsa ka thënë se lufta kundër korrupsionit mbetet një ndër sfidat më të mëdha dhe aspekti më me rëndësi për Kosovën në të ardhmen e saj.