Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një konferencë për media, ka akuzuar opozitën për dështimin seancës së jashtëzakonshme për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Gashi ka thënë se mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga veprimet destruktive të opozitës, shkruan Reporteri.
“Dështuam për me e mbajtë seancën e jashtëzakonshme për Leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga veprimet destruktive të opozitës. Opozita pamundësoi që Kuvendi të merret me problemet ekonomike me të cilat po përballet shoqëria kosovare duke qenë e papërgjegjshme në veprimet e saj. Këtu shihet një element kryesor i sjelljes destruktive të opozitës.
Ata po pamundësojnë të kalojë Ligji që qytetarët mjetet e tyre t’i tërheqin dhe ekonomia të marrë frymë. Kjo bëhet akoma më e rëndë kur dihet se një valë e rëndë e pandemisë ka mbërthyer globin dhe Kosovën”, u shpreh ndër të tjera Gashi.
Ai po ashtu tha se Kuvendi i Kosovës do të tentojë ta kalojë këtë Ligj sepse po i afrohemi dimrit dhe qytetarët po përballen me krizë ekonomike, kur dihet se kanë nevojë edhe të blejnë dru.
“Ne do të tentojmë vazhdimisht që Kuvendi i Kosovës të vendosë sepse ne po i afrohemi dimrit dhe e dimë se në aspektin natyror një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë së Kosovës është akoma në krizë.
Qytetarët e Kosovës po përballen me krizë ekonomike, do të përballen shumë shpejtë me të ftohtin e dimrit, këto para janë të tyre, ata i presin këto para për me mujtë me ble dru dhe ushqime për familjet e tyre”, u shpreh ai. /Reporteri.net