Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se sjelljet e sotme të VV-së, karshi zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj janë arbitrare dhe të palogjikshme.
Gashi ka sfiduar VV-në duke thënë se nëse kjo parti apo cilado tjetër janë të pakënaqur me punën e Qeverisë mund të iniciojnë mocionin e mosbesimit, shkruan Reporteri.net.
“Ajo çka ndodhi sot është një episod i përsëritur i një sjellje të paarsyeshme dhe të palogjikshme të VV-së. Askush në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme nuk mundet me ia imponu vullnetin Kuvendit. Nëse VV apo kushdo tjetër vlerëson se Qeveria nuk duhet të jetë kjo, nëse kanë vërejtje për ndonjërin nga anëtarët e kabinetit, Kushtetuta i parasheh mekanizmat demokratik, e ky mekanizëm është mocioni i mosbesimit. Pra instrumentet e demokracisë ekzistojnë, por sjellja e dhunshme”, u shpreh Gashi.
Tutje, Gashi ka akuzuar nënkryetarin e Kuvendit, Arbërie Nagavci për kapje të Kuvendit. Ai ka thënë se Selmanaj do të jetë i prenishëm në seanca për aq sa ka kohë.
“Ne deklarojmë se Kuvendi po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe anëtarët e VV-së. Kuvendi funksion me shumicë, nëse janë shumicë ata që mendojnë se kjo qeveri është e gabuar, atëherë iniciojnë mocionin e mosbesimit. Selmanaj do të jetë i pranishëm në secilën seancë dhe sa herë ka kohë. Nuk e di a do të jetë në ora 14:00, sepse me sa e di nuk ka pika të rendit të ditës që do ti propozojë”, u shpreh Gashi ndër të tjera. /Reporteri.net/.