Policia e Kosovës sot ka arrestuar sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytqyqi, ndërsa nuk është gjetur më banesën e tij zëvendësuesi i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se gjatë bastisjes janë sekuestruar, një revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër fishekë 9 mm.
Po ashtu sipas komunikatës janë sekuestruar tridhjetë e katër fletë dokumente të ndryshme, tre telefonë, një ) IPhone 15 ProMax, një IPhone 12 ProMax, një IPhone 11 ProMax.
Gjithashtu janë sekuestruar shtatëmbëdhjetë USB, tre llaptop HP, katër shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Izedin Bytyqi dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
“Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.”, thuhet në komunikatë.