Deputeti i VV-së, Armend Muja ka reaguar pas një ngjarjeje që ka ndodhur sot në takimin e Komisionit për buxhet, punë dhe Transfere, ku ai shihet duke shfaqur një arrogancë me zyrtaren e administratës, e cila afrohet për t’i komunikuar diçka.
Zyrtarja që ka punë koordinimin gjatë mbledhjes dhe çështjet e tjera teknike, u trajtua keq nga deputeti.
Muja kujdeset që ta qortojë zyrtaren, duke ia bërë me gisht dhe duke i folur ashpër. Nga kamerat, vërehet se ai i thotë të mos i afrohet më kur ai është ulur.
E lidhur me këtë, Muja ka shprehur keqardhje për këtë ngjarje përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, gjersa i ka kërkuar falje për këtë gjest.
Postimi i tij i plotë:
Reagim
Ngjarja e sotme në takimin e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere e shkëputur në media e cila portretizon komunikimin tim me zyrtaren e Komisionit, është një ngjarje me të cilën nuk dua të karakterizohet personaliteti im. Gjatë seancës një nga zyrtaret e Kuvendit po propozonte forma se si të tejkalohej një ngërrç ndërmjet kërkesës së RTK-së për votim të shpejtë të raportit tremujor të shpenzimeve dhe nesh për një raport më të detajuar para votimit. Këto diskutime krijonin pak vështirësi në mbarëvajtje të seancës dhe diskutimeve nga deputetët.
Rrethanat të cilat sollën tek sjellja ime ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, përkundrazi janë mësim të jem shumë më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës të Komisioneve funksionale të Kuvendit. Unë shpreh keqardhjen time për këtë ngjarje, i kërkoj ndjesë publike punëtores së administratës së Kuvendit dhe e mirëpres bashkëpunimin tonë të radhës. Në poziten e Kryetarit të Komisionit do të jem bashkëpunues dhe i hapur për të gjithë, deputetët, punëtorët e Kuvendit, mediat, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët e Republikës. Puna që kemi para vetit është me përgjegjësi të madhe, andaj edhe kujdesi ndaj tjerëve duhet të jetë i madh.
Me respekt,
Armend Muja