Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka akuzuar paritë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë se po pengojnë formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai ka theksuar se bllokimi i konstituimit të Kuvendit është një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta mohuar vullnetin politik të qytetarëve.
“Sot është seanca e 22-të ku deputetët e ish-opozitës nuk votojnë fare. Kemi hyrë në javën e pestë ku ka shkuar kërkesa nga opozita në Kushtetuese. Po e presim vendimin. Deputetët e opozitës vijnë këtu me qëllimin e vetëm që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të bllokohet formimi i Qeverisë Kurti 3. Kjo katrahurë është përpjekja për ta bllokuar formimin e Qeverisë Kurti 3, dhe në vetvete për ta mohuar vullnetin politik të manifestuar më 9 shkurt. Kjo është logjika e sjelljes së opozitës”, ka deklaruar Muja.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje po qëndron e përkushtuar për të respektuar vullnetin qytetar dhe për të çuar përpara proceset demokratike, ndërsa bëri thirrje për tejkalimin e krizës institucionale përmes respektimit të rregullave kushtetuese dhe parlamentarizmit.