Reformë e thellë e investime në sistemin e shëndetësisë kishte premtuar kryeministri Albin Kurti, para se të marrë pushtetin.
Por sipas deputetëve të opozitës ndonëse ishte premtuar nga Qeveria Kurti se shëndetësia do të jetë njëra ndër prioritet e saj, kjo nuk po ndodh.
Sipas tyre edhe viti 2022 ka filluar me probleme të mëdha, që nga largimi i mjekëve nga Kosova dhe listat e gjata të pritjes së trajtimit të pacientëve.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se Qeveria po tregohet e paaftë për t’i kryer detyrat që i ka të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë.
Sipas tij, krejt interesimi i zyrtarëve të lartë është që t’i shfrytëzojnë beneficionet e shtetit duke shfrytëzuar paranë publike.
“Ne kemi shpresuar që viti i kaluar është qeveri e praktikantëve dhe në kuptimin e asaj se kur janë njerëzit në praktikë edhe mësojnë. Po këta po tregojnë që janë të paaftë për ti kryer detyrat që i kanë të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë”, tha ai, për EO.
“Krejt interesimi i tyre është që të jetojnë përmes aferave që janë edhe korruptive t’i shfrytëzojnë beneficionet e shtetit duke shfrytëzuar paranë publike dhe paraja është duke u zhdukur nëpër duar të tyre nga paaftësia për të menaxhuar dhe për t’i krijuar vendit investime zhvillim në të gjitha sferat e jetë që ka nevojë qytetari”, tha Zemaj.