×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Arrestimet në Gjakovë e Prizren, Osmani takon zyrtaren amerikane: Përpjekje e vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës

    Reporteri
    07 Prill 2025 | 12:18

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane,  Anu Prattipati.

    Sipas një njoftimi të presidencës në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

    “Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Presidentja Osmani diskutoi me znj. Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.”, thuhet nw njoftim.

    Po ashtu në njoftim thuhet se presidentja theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës.

    “Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie. Ajo falenderoi të gjitha institucionet e sigurisë për punën në mbrojtje të vendit dhe diskutoi me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim.”, tha nw njoftim.

    Presidentja po ashtu e njoftoi Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, 16 serbë u arrestuan në Prizren e Gjakovë në datat 5 dhe 6 prill.

    Të njëjtit dyshohet se ishin struktura të Serbisë, përfshirë edhe oficerë e zyrtarë të sigurisë.

    12 u arrestuan në Prizren, dhe 4 në Gjakovë. Megjithatë, nga 12 të arrestuarit në Prizren, 10 janë liruar në procedurë të rregullt. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në këtë komunë.

    “Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim”, ka deklaruar Gashi. “Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë”.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tregoi se këta persona kishin për qëllim mbledhjen e informatave pasi u gjetën dëshmi edhe për lidhje me grupin e Banjskës.

    “Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, tha Sveçla.

    “Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, tha më tutje ai.

    Ky postim erdhi pak kohë pasi Qeveria lëshoi komunikatë për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

    Aty u tha se Serbia me Radoiçiqin në krye, po tenton të pengojë formimin e qeverisë, duke ndikuar te deputetët e pakicave.

    “Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë”.

    “Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!