×
  • Lajme
  • Lajme / Dy vepra penale

    Arrestimi i dy grave për vrasjen e foshnjës gjatë lindjes në Podujevë, Prokuroria jep detaje

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 10:43

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të foshnjës gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë për Gazetën Reporteri se hetimet lidhur me rastin kanë nisur për dy vepra penale.

    Gruaja që kreu abortin do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’, ndërsa ndaj të arrestuarës së dytë është iniciuar rasti për ‘Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes’.

    Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Reporteri.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe fazës hetimore në të cilën gjendet çështja, nuk mund të japin më shumë informacione.

    Rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

    Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, njoftoi Policia.

    Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.

    Dyshohen për vrasje të foshnjës gjatë lindjes, arrestohen dy gra në Podujevë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!