Arrestimi i Haki Rugovës, kryetarit të Istogut nga radhët e LDK-së është bërë temë diskutimi edhe në Kuvendin e Kosovës.
Atë e ka përmendur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.
Haliti, gjatë seancës së Kuvendit ku po raportonte kryeministri Hoti, tha se kanë marr lajmin që kreu i Istogut së bashku me nënkryetarin e Komunës dhe një zyrtar tjetër janë arrestuar për shkak të falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ai iu është drejtuar LDK-së duke thënë se kjo është “ëmbëlsira” e kësaj nate.
“Nuk di se si mund të mbyllet ky raportim me një lajm para 15 min që e morëm që është arrestuar kryetari i Istogut, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, së bashku me nënkryetarin dhe një zyrtar për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Unë mendoj se kjo i përmbys të gjitha ato që i thatë dhe kjo është ëmbëlsira e kësaj nate dhe dua të ju uroj një natë të mirë dhe të qetë”, ka thënë Haliti i VV-së.
Masa e ndalimit prej 48 orëve i është caktuar kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova së bashku me zyrtarë tjerë të kësaj komune, ish-nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtari ligjor, Faton Bujupi.
Rugova së bashku me dy zyrtarët e tjerë, dyshohen për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’.
Në lidhje me rastin është deklaruar edhe zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftim.
“Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet tutje.
Rugova përveç kryetar i Komunës së Istogut është edhe njëra ndër figurat më të rëndësishme të LDK-së derisa mban postin e nënkryetarit.