Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu, nga Serbia.
Osmani ka thënë se Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare, shkruan Reporteri.net.
“Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka thënë se përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, ka kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së.
“Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”, ka shkruar Osmani.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë angazhuar maksimalisht që ish-polici Arbnor Spahiu të lirohet sa më parë, që prej momentit të arrestimit të tij para dy ditësh në pikën kufitare Hungari-Serbi, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se nuk do të pranojnë që të normalizohet kjo sjellje e Serbisë karashi qytetarëve të Kosovës.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar Kurti, teksa ka shpërndarë reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës./Reporteri.net