×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestimi i ish-policit të Kosovës nga Serbia, Krasniqi: Qeveria të reagojë

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 11:55

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar mosreagimin institucional të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndalimin e policit Arbnor Spahiu, duke e cilësuar këtë si një papërgjegjësi të thellë nga institucionet shtetërore.

    “Po shpreh pakënaqësi me mosreagimin institucional, me mosreagimin e Qeverisë që nuk e ka thënë asnjë fjalë për ndalimin jo vetëm të një qytetari që do të duhej, por të një shërbyesi të Kosovës, një prej anëtarëve të forcave speciale të Kosovës, që kur i duhen i ngrisin në qiell me lëvdata ndërsa tani nuk e thonë asnjë fjalë”, tha Krasniqi, duke kërkuar një angazhim më të madh institucional.

    Ai shtoi se: “Qeveria dhe institucionet do duhej që aktivisht të merreshin me lirimin sa më të shpejtë të policit Arbnor Spahiu, që po mbahet në mënyrë të padrejtë.”

    Në një adresim para mediave pas dështimit të 30-të me radhë të seancës konstituive, Krasniqi kritikoi edhe mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje po sillet në procesin e krijimit të institucioneve të reja, duke e cilësuar qasjen e saj si arrogante dhe të papërgjegjshme.

    “Partia e parë po tenton të imponojë te deputetët e zgjedhur të popullit. Në vigjilje të Ditës së Çlirimit të Kosovës, shpreh keqardhje për këtë situatë në të cilën na ka sjellë LVV-ja me kryeneçësinë e saj politike. Ky vend është bërë me shumë mund, sakrificë, e më e pakta që do duhej të bënin politikanët, sidomos në nderim të kësaj sakrifice për këtë shtet, është të ishin të përgjegjshëm dhe të kuptonin se asgjë përtej verdiktit të qytetarëve nuk mund të imponohet. Qytetarët meritojnë më mirë”, u shpreh ai. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!