Familjarët e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomorr Morinës të arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut, po shprehen të indinjuar me institucionet e Kosovës që sipas tyre nuk po angazhohen aq sa duhet për ish-luftëtarin e UÇK-së që u arrestua me urdhër të Serbisë që nga 24 korriku i këtij viti.
E ëma e Tomorrit – e cila nuk është mirë emocionalisht që nga burgosja e djalit nuk ka pranuar të flasë para kamere. Por, ka angazhuar djalin e vëllait, Gurakuç Dobrunën që të jap informacione rreth rastit të Tomorit.
“Tomorri është frymëzuar tek dajtë e vet sepse shumica prej tyre kanë qenë të burgosur të ish-sistemit me burgje të gjata i dimë vuajtjet e tyre dhe tash nëna e tij, e cila ka përjetuar edhe burgosjet e vëllezërve tash më në fund po i përjeton edhe burgosjen e djalit dhe e kuptoje që ajo është shumë e mërzitur dhe për këtë arsye edhe nuk mund të komunikojë me mediat dhe më ka angazhuar mua”, ka thënë Dobruna për Insajderin.
Kurse bashkëluftëtari i Morinës, Lekë Dobrunën të cilin njëherësh e ka edhe djalë të hallës.
Leka është shprehur i mllefosur me institucionet e Kosovës, përderisa thotë se nuk e çudisin fare veprimet e Serbisë.
“Ata (Serbia) thjesht e kryejnë punën e vet kanë me i pas gjithmonë këto sjellje, gjithmonë kanë me i përndjekë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thjesht unë e shoh si neglizhencë të institucioneve të Kosovës që s’kanë bë më shumë, së pari duke u nisë prej statusit të veteranëve, invalidëve etj. Më shumë kanë këqyr ish-komandantët për veti por jo për ushtarët e thjeshtë”, është shprehur ai.
Sot (e mërkurë) në Gjakovë në sheshin “Nëna Tereza” pati edhe një protestë – ku u kërkua lirimi i menjëhershëm i Tomorr Morinës, ish-ushtar i UÇK-së.