×
  • Lajme
  • Lajme / "Për krime lufte"

    Arrestimi i kosovarit në Merdarë, MPJD njofton shtetet e QUINT-it

    Reporteri
    02 Qershor 2024 | 8:29

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lëshuar mbrëmë një komunikatë në lidhje me arrestimin e qytetarit të Kosovës nga autoritetet serbe në Merdarë.

    Tefik Mustafa është arrestuar me pretendimin se ka kryer “krime lufte”.

    “Sot pasdite Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi është njoftuar për arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Tefik Mustafa, nga autoritetet e Serbisë në Merdarë, me akuza për gjoja krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.”

    Në komunikatë thuhet se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe dhe shteteve tjera në Beograd.

    “Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi menjëherë i ka njoftuar misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.”

    Po ashtu, MPJD thotë se do të paraqesin kërkesë zyrtare për të lejuar ambasadorin Jashari ta vizitojë të arrestuarin.

    “Gjithashtu do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Tefik Mustafa, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Mustafa nga organet serbe.”

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës “ka dënuar ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

    MPJD shton se lidhur me këtë i ka njoftuar dhe shtetet e QUINT’it në Kosovë.

    “Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!