×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestimi i serbit të dyshuar për krime lufte, Sveçla: Drejtësia është e pashmangshme

    Reporteri
    07 Mars 2023 | 22:43
    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas lajmit të arrestimit të një serbi të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

    Sveçla ka thënë se Kosova nuk do t’i harrojë krimet që janë kryer gjatë luftës, dhe se të gjithë ata që akuzohen për vepra të tilla do të përballen me drejtësinë, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”, shkroi tutje Sveçla në Facebook.

    Tutje, ministri theksoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ndaj fajtorët do të mbahen të përgjegjshëm.

    “Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, sot ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A. të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës në Kosovë në vitin 1999.

    Sipas njoftimit, i arrestuari dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar, në stacionin policor të Kamenicës, kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M., duke përdorur shufra gome dhe shkelma. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!