Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person në Prishtinë, pasi që i njëjti kishte gënjyer se është infektuar me virusin pandemik COVID-19.
Reporteri nga burime brenda policisë merr vesh se 24 vjeçari me inicialet H.Z (emër i njohur për redaksinë) në rrjetin social Facebook kishte bërë një postim duke thënë se është i infektuar me koronavirus. Po i njëjti kishte deklaruar se ka pasur kontakt me shumë njerëz duke përhapur kështu panik tek masa.
Personi në fjalë është dërguar për kontroll në QKUK, por që kishte rezultuar negativ me COVID-19.
Ai është arrestuar nga policia dhe është dërguar në mbajtje nën akuzën për alarmim të rrejshëm.
Kujtojmë se në Kosovë deri më tani me koronavirus janë infektuar 88 persona, derisa është shënuar një viktimë, dhe një person është shëruar. Qeveria ka ndërmarrë një sërë hapash duke përfshirë edhe kufizimin e lëvizjes në funksion të përhapjes së virusit pandemik që po merr jetë në tërë botën. /Reporteri.net