Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale “tregtia e ndaluar” dhe “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, pas pranimit të një informacioni që tregonte për prodhimin dhe shpërndarjen ilegale të produktit “Collagen Peptides 200 gr” përmes rrjeteve sociale.
Gjatë aksionit të zhvilluar më 4 qershor, hetuesit policorë kanë identifikuar dy posta të shpejta që përdoreshin për shpërndarjen e këtyre produkteve të dyshuara si të falsifikuara.
Gjithashtu, është lokalizuar objekti në Ferizaj ku bëhej ripaketimi dhe ambalazhimi i produkteve.
Nga operacioni janë sekuestruar:
10 thasë me gjithsej 6.800 gram lëndë të parë të markës “REALMASS” që përdorej për ripaketim si “Collagen”,
1.500 copë ambalazh plastik që imiton paketimin origjinal të produktit,
11 pako të gatshme për shitje,
Sasi e konsiderueshme e etiketave me mbishkrimin “Collagen”.
Në një nga postat e shpejta në magjistralen Prishtinë–Pejë, janë gjetur edhe 30 pako të gatshme për dërgim tek klientët, ndërsa në një tjetër postë në Lipjan janë sekuestruar tri pako të tjera.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij dhe më pas, me vendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është liruar në procedurë të rregullt.