×
  • Lajme
  • Lajme / Përleshja më 2023

    Arrestohet një i kërkuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan gjatë vitit të kaluar

    Reporteri
    19 Qershor 2024 | 23:04

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që ka ndodhur në maj të vitit 2023 në Zveçan, përcjell Reporteri.net.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovë në Veri, Veton Elshani, ka njoftuar se i njëjti është duke u intervistuar nga policia.

    “Rreth orës 19:00 është arrestuar L.D., i njëjti dyshohet për involvim në ngjarjet e majit 2023. Janë 93 pjesëtarë të KFOR-it që kanë qenë të lënduar në protestat e dhunshme. I dyshuari është duke u intervistuar në Stacionin Policor në Jug. Pas intervistimit pritet vendimi i prokurorit. Ai është arrestuar në Bistricë (Zveçan)”, njoftoi Elshani.

    Si pasojë e këtyre protestave dhjetëra ushtarë të KFOR-it pësuan lëndime trupore.

    Ajo që dihet tani për tani, është se u arrestuan rreth dhjetë veta, shumica e të cilëve u liruan për t’u mbrojtur në liri. Katër u akuzuan, por dy prej tyre u liruan nga akuza për sulm ndaj KFOR-it. Dhe, dy shtetas të Serbisë u dëbuan nga Kosova, pasi dënimi i tyre prej gjashtë muajsh burg u zëvendësua me gjobë.

    Dhuna ndodhi më 29 maj të vitit të kaluar, gjatë protestës së disa qytetarëve serbë që kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Përleshjeve mes ushtarëve të KFOR-it dhe serbëve në Zveçan u parapriu rritja e tensioneve më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para objekteve komunale në veri të Kosovës, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në to./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!