Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka njoftuar se është ndaluar një person me dyshimin e veprës penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Në njoftimin për media, Prokuroria thotë se i dyshuari K.A., përmes rrjetit social Facebook, “ka prezantuar një bar, duke theksuar se me atë produkt shërohet Coronavirusi, i cili edhe e ka prezantuar mostrën e barit, me ç’rast e njëjta është konfiskuar dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës”, transmeton Reporteri.net.
I njëjti në profilin e tij në Facebook kishte prezantuar këtë medikament duke kërkuar blerës
“Gjithashtu, i dyshuari K.A., më 06 prill 2020, në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka publikuar informacion me mbishkrim ‘Përshëndetje, a ka vullnetar të infektuar me corona virus që do të perdorë barin që e bëjë unë në bazë bimore. Veprimi i barit: specter të gjerë kundër viruseve, veprim kundër replikimit të virusit brenda qelizës, stimulon sistemin imunitar për të luftu infeksionin. Bari përdoret vetëm një javë, nuk ka efekte anesore (nuk janë te njohura, bari është falas sasia e kufizuar). Imuniteti formohet brenda 10 dite’”, thekson Prokuroria në Gjilan.
Tek i dyshuari, gjatë bastisjes nga inspektorët policorë dhe farmaceutikë, janë gjetur 45 litra alkool etilik 95% pa prejardhje, me ç’rast i njëjti është sekuestruar dhe është dorëzuar në Doganën e Kosovës. /Reporteri.net