Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) dhe Parlamenti Evropian (PE) arritën një marrëveshje për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, paketën më ambicioze të ndihmës financiare për vendet e rajonit me vlerë gjashtë miliardë euro.
Marrëveshja u konfirmua më 4 prill nga përfaqësuesi evropian Tonino Picula, i cili ishte negociatori kryesor në emër të PE, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Negociatat e këtyre dy institucioneve të BE-së u zhvilluan nën presion të madh kohor sepse miratimi i Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, i cili zyrtarisht shpërndahet në fund të prillit, pasuar nga zgjedhjet evropiane në qershor, ishte i nevojshëm për miratimin e vendim.
Tashmë është e mundur që vendimi të votohet në seancën plenare të prillit dhe më pas të hyjë në fuqi Plani i Rritjes për rajonin.
Nga gjashtë miliardë euro, dy miliardë do të jenë në formë granti dhe katër miliardë të tjera në formë kredie me një normë interesi shumë të favorshme.
Përfitimi nga Plani i Rritjes vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet
Të tre institucionet e BE-së që punuan për Planin e Rritjes këmbëngulën se vendet e rajonit duhet të përmbushin një sërë kriteresh jo aq të lehta për të përdorur paketën e ndihmës financiare.
Midis tyre janë kriteret bazë që vlejnë njësoj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe marrjen e hapave të nevojshëm për të siguruar që fondet të mos keqpërdoren.
Krahas kritereve që kanë të bëjnë me reformat dhe shtetin ligjor, ka edhe kritere të karakterit politik.
Për Kosovën dhe Serbinë ekziston një “kusht tjetër” që lidhet me progresin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Sipas tekstit të rënë dakord, çështja e përafrimit me politikën e jashtme, përfshirë sanksionet kundër Rusisë, mbetet një “qëllim i përgjithshëm” dhe jo një parakusht siç kërkoi fillimisht Parlamenti Evropian. /Reporteri.net/