Partitë në Preshevë kanë arritur marrëveshje për qeverisjen në këtë komunë. Sami Salihu pritet që të udhëheq me Preshevën, shkruajnë mediet në këtë komunë, transmeton Reporteri.net.
“Pas dorëheqjes se kryetarit të Kuvendit nga posti dhe prishjes së koalicionit mendohej se vendi do të udhëhiqej nga organi i përkohshëm dhe më vonë të shkojë në zgjedhje. Por pak ditë më vonë është arritur marrëveshja që koalicioni i përbërë nga PVD-PDSH dhe LRPDSH do të udhëheq pushtetin lokal”, shkruan Presheva.al.
Sipas informatave jo zyrtare mësohet se kryetar i komunës së Preshevës do të emërohet Sami Salihu ndërsa pozita e kryetarit të Kuvendit do t’i takojë PDSH-së.
“Siç mëson Presheva.AL tashme është përgatitur gjithçka dhe seanca është thirrur nesër me fillim nga ora 12:00, me ç’rast do të mësohen edhe postet në institucionet publike ku themelues është Komuna se si janë ndarë”, shkruan ky medium.
Kujtojmë që ditë më parë Sami Salihu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës. Ai ka njoftuar për dorëheqje nga posti i tij i deritashëm si dhe është larguar edhe nga koalicioni me Alternativën për Ndryshim, partisë së kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi.
Në njoftimin e dorëheqjes, Salihu ka përmendur një sërë arsyetimesh, por si kryesorin, ai ka përmendur njëanshmërinë në vendimmarrje, të cilat sipas tij e zhvlerësojnë marrëveshjen dhe e bëjnë atë të padobishme.
“Është një veprim që e ndërmarr pas një analize të gjatë të gjithë aktivitetit të deritanishëm në zbatim të marrëveshjes dhe angazhimit tim personal dhe te forcës politike që përfaqësoj. Një bashkëpunim apo marrëveshje, mund të funksionoj për sa kohë përpjekjet dhe kontributi i palëve është reciprok dhe proporcional”, ka shkruar Salihu në Facebook.