×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    Arrin në Presidencë letra e Avni Deharit, lypë nga Osmani sugjerime “për opsionet e mundshme përpara”

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 13:27

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari i ka dërguar letër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i kërkuar interpretim mbi situatën e krijuar në seancën e djeshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në letrën e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, Dehari kërkon nga Osmani “sugjerime për opsionet e mundshme përpara”.

    Në letër, Dehari shpjegon dhe arsyet pse u detyrua të ndërpriste seancën.

    “E nderuara Shkelqësia juaj, Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

    Ju drejtohem në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikes Kosovës për legjislaturën e IX-të. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, rendi i ditës për seancën e djeshme konstituive ishte:

    – Formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve,
    – Betimi i deputetëve,
    -Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
    – Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Lidhur me pikën e parë, për njoftimin tuaj, Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, u votua me shumicë të votave në Komision, mirëpo si asnjëherë më parë, ky Raport, nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi.

    Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive. Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, thuhet në letrën e siguruar nga Reporteri.net.

    Se letra ka arritur në Presidencë e ka konfirmuar për Reporteri.net këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

    “Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka deklaruar Kupina.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!