×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsyetimi për shkarkimin e Veliut – edhe Blerim Reka kishte dhënë qëndrime personale por nuk u shkarkua

    Reporteri
    18 Mars 2020 | 17:28

    Agim Veliu tash nuk ka asnjë post institucional. Dy muaj pasi la Podujevën për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai u shkarkua nga Kryeministri Albin Kurti me një arsyetim se ‘ka dhënë qëndrime të vetat’ dhe jo siç kërkon kryeministri apo siç po flasin institucionet rreth situatës me Covid – 19.


    Në njoftimin e Qeverisë, për të arsyetuar shkarkimin, që me gjasë do të shënojë edhe fundin e Qeverisë, jepen argumente me të cilat do të mund të shkarkohej edhe një ministër tjetër, ai i Integrimeve, Blerim Reka që vjen nga radhët e VV-së.

    “Mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, për televizionin Klan Kosova, u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime. Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por njëjtë kishte bërë edhe Ministri Blerim Reka. Para disa javësh, Reka, pa u konsultuar fare me qëndrimet zyrtare të Kurtit e Qeverisë rreth dialogut me Serbinë dha një deklaratë që u quajt skandaloze më pas. Reka për emisionin e Jeta Xharrës, që tash e sa kohë ka hapësirë në RTK, tha se si kompromis për njohje Serbisë do t’ia ofronte korridorin për dalje në det.

    Nga shoqëria civile dhe opozita u alarmuan duke thënë se kjo është një deklaratë që shkon për shtati politikave të vjetra të Serbisë për të pasë dalje në det. Ata kërkuan të dinin nëse ky ishte qëndrim zyrtar i Kosovës. Kurti nuk foli fare për këtë gjë. Opozita e kërkoi shkarkimin e Rekës. Duke e parë se deklarata e tij kishte bërë bujë jo për të mirë, kishte reaguar Ministri i Integrimeve.

    “As nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i imi personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete. Asgjë më tepër.”, kishte thënë ndër të tjera ai, por që nuk u qortua asnjëherë dhe as nuk u shkarkua për deklarata personale apo të pamatura.

    Ky është postimi i plotë i ministrit Reka:

    “Këto ditë pati kritika nga opozita në lidhje me një fjali timen në intervistën televizive në emisionin “Jeta në Kosovë”. Ishte e nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes në pyetjen: “A do t’i kërkohet Kosovës me marrëveshjen e Uashingtonit, t’i japim territor Serbisë”? Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka ateherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale qe t’i lejojmë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014. Kjo është e tëra, as nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i imi personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete. Asgjë më tepër.
    Natyrisht, unë mbroj qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme. Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas.
    Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!