Kanë kaluar dy vjet që nga funksionalizimi i ekipit përgatitor për themelimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, por ky komision akoma nuk është krijuar.
Komisioni është mekanizëm i iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi, përmes së cilit synohet pajtimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve 20 vjet pas luftës në Kosovë.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, që kryeson ekipin përgatitor ka thënë për KOHËN se kanë realizuar disa takime me akterët e nevojshëm, por që sipas tij, pandemia e ka vonuar themelimin e Komisionit.
“Komisioni parashihet të themelohet kur të përfundohen dokumentet që po përgatiten nga Ekipi Përgatitor e që do të nxjerrë përfundimet e veta pasi të marrë inputin përfundimtar nga konsultimet publike. Për fat të keq, për shkak të pandemisë globale, edhe Ekipi Përgatitor ka qenë i detyruar ta ndërpresë fushatën e konsultimeve, si dhe fushatën e informimit. Po sa kushtet ta lejojnë, Ekipi Përgatitor do të rifillojë punën e vet dhe ta përfundojë mandatin e vet”, tha Arifaj.
Në vitin 2018, Qeveria kishte mbyllur Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke e shkrirë atë në një departament të Ministrisë së Drejtësisë.
Mirëpo, profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, që drejtonte këtë institut thotë se nuk mund të ketë pajtim ndërmjet dy etnive pa u hulumtuar krimet serbe.
Themelimin e Komisionit e përkrah Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili nuk është pjesë e grupit përgatitor, por kërkon që të përshpejtohen procedurat.
Bekim Blakaj nga ky fond thekson se raporti përfundimtar i Komisionit duhet të pranohet edhe nga Serbia, në të kundërtën puna e Komisionit rrezikon të dështojë.
Deri më tani ekipi përgatitor ka hartuar një akt normativ, i cili përmban dispozita për mënyrën e funksionimit të Komisionit pas themelimit të tij. /Reporteri.net/