×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Asamblisti i VV-së arrestohet në Shqipëri, pjesë e grupit që transportonin drogë me autobusë nga Prishtina në Tiranë

    Reporteri
    15 Gusht 2023 | 11:34

    Një operacion i madh i Policisë së Shqipërisë ka përfunduar me 5 presona të arrestuar, nën dyshimet se kanë poseduar 10 mijë doza ekstazi.

    Mediat në Shqipëri kanë publikuar emrat e të arrestuarve dhe në mesin e tyre raportohet se është edhe Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një konferencë për media.

    “Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

    Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.

    Vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. U sekuestruan gjithashtu një automjet si dhe 5 aparate celulare, bëri të ditur Policia e Shqipërisë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!