Zëvendëskryeministrja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, demantoi zërat se ajo nuk është përzgjedhur për këtë potë nga strukturat e partisë dhe se emërimi i saj ishte befasi ekskluzive, ashtu siç u përfol. Ajo po ashtu ka reaguar ndaj deputetit dhe shefit të grupit parlamentar të partisë së saj, Haxhi Shalës i cili ka thënë se ajo nuk e ka mëritur postin e zv/kryeministres.
Sipas Balaj-Halimajt, për të vetmin pozicion që nuk ka vendosur partia është, pozicioni i shefit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate.
“Është e pavërtetë nëse thuhet se për emërimin tim nuk kanë vendosur strukturat e partisë”, tha ajo për RTV21.
Ajo ka thënë se ishte Shala ai që e mori me “zor” postin e Shefit të Grupit Parlamentar.
“Më vjen shumë keq ta them, por duhet ta them. Për të vetmin, ama për të vetmin pozicion që nuk ka vendosur Nisma është shefi i grupit parlamentar. Për të mos thënë e ka grabitur, është vet-emruar.
Ne kemi pas plan të diskutojmë menjëherë pandemisë se kush në fakt do të vije si shef i GP. Jam e sigurt se z.Shala e din pasi ishim në takim në kohën kur kemi diskutuar në parti për gjitha emërimet dhe propozimet e anëtarëve të NISMA-s në Qeveri”, ka thënë ajo.