×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimet

    Audio-incizimi i Kusari-Lilës me Radoiçiqin, opozita e bindur se u konfirmua afërsia e pushtetit me Listën Serbe

    Reporteri
    04 Qershor 2024 | 17:28

    Gjatë ditës së djeshme është publikuar një pjesë e bisedës së shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me terroristin serb, Milan Radoiçiq, bisedë kjo e ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Audio-incizimi i publikuar nga Nacionale, besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, periudhën kur Radoiçiq ishte përfshirë në Listën e Zezë.

    Por, për kreun e ekzekutivit, Albin Kurti kjo situatë është e montuar dhe po tentohet të dramatizohet me çdo kusht, ani pse ai vetë tha se nuk e ka dëgjuar këtë audio-incizim.

    Sipas kryeministrit “qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin”.

    “Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin dhe e kanë shumë të qartë pse dikush ikë sot e dikur ishte në kryeministri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bën 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte atje që ai të dorëzohet. Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa biseda prej një sekuence që nuk e di kah është marrë dhe si është marrë e si është montuar”, tha kryeministri sot para gazetarëve.

    Për opozitën, biseda e publikuar dje mes Kusari-Lilës dhe terroristit serb, veçse konfirmon afërsinë e pushtetit me Listën Serbe.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kurti duhet të tregojë pse ka kërkuar partnertit me Radoiçiqin, kur e ka ditur se po kërkohej nga organet e rendit dhe ishte arratisur nga Kosova që nga viti 2018, dhe se ishte në Listë të Zezë të ShBA-së.

    Poashtu, në një reagim të bërë në Facebook, kreu i AAK-së ka akuzuar Kurtin se disa vite pas lirimit të tij nga burgu, me 17 janar 2004, në Dollc të Klinës, sipas Haradinajt, Kurti ishte gjetur i mbuluar me batanije, në makinë me agjentë serb Gollub e Boban Donqiq.

    Për sekretaren e PDK-së, mashtrimi janë konstoja e vetme e kësaj qeverie, dhe biseda e publikuar konfirmon koordinimin e qeverisë me Listën Serbe.

    Ajo shtoi se ky rast duhet të hetohet nga organet përkatëse.

    “Hipokrizia dhe mashtrimi janë konstatja e vetme e kësaj kaste qeverisëse! Bisedat që i dëgjuam sot, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së me kryeterroristin Radoiçiq, e konfirmojnë qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe. Çka fsheh ende afera “Zdravo” mbetet të shihet, por tashmë s’ka dilema se kjo duhet të hetohet nga organet përkatëse”, shkroi mbrëmë Çitaku, pak pas publikimit të audio-incizimit.

    Një reagim pati edhe nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

    Kjo e fundit ka thënë se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e shndërroi Milan Radojiçiqin nga një terrorist në “zemlak” miqësor.

    “Sot, shefja e VV e shndërroi Milan Radojçiç nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor. Kryeministri Kurti e ‘lau’ Oliver Ivanoviç duke e shndërruar nga një vrasës shqiptarësh në burrështetas të suksesshëm. Në krejt këtë valle patriotizmi të rrejshëm, vetëm një dilemë e kam. Si ka mundësi që kaq pafytyrësisht e vazhdoni vallen edhe pasi ju ka rënë perdja”, shkroi Kica-Xhelili./Reporteri.net/

    Publikohet një sekuencë e bisedës mes Kusari-Lilës dhe Radojçiqit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!