×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    Auditori gjen një “mal shkeljesh” në Komunën e Ramës: Pagesa milionëshe në kundërshtim me ligjin, kontrata pa nevojë e nisje e punëve pa leje

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 18:22
    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mal shkeljesh në Komunën e Prishtinës, në raportin e saj vjetor për këtë institucion mbi pasqyrat financiare. Lidhja e kontratave milionëshe duke përdorur procedurën me negocim në shpërputhje me ligjin, pagesa në vlerë 5.2 milionë euro në formë të paradhënies në kundërshtim me ligjin, kontrata të reja milionëshe ndonëse i kishte disa aktive, hyrja në obligime kontraktuale pa i pasur krejt paratë,ndarja e subvencioneve pa thirrje publike, janë vetëm disa prej tyre. Për të gjitha këto gjetje, nga Komuna e Prishtinës janë pajtuar me Auditorin. 

    Në një raport prej 56 faqesh, të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, Auditori ka përmbledhur dhjetëra shkelje që ka bërë Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga Përparim Rama.

    Disa nga shkeljet e theksuara janë për kontrata milionëshe. Reporteri.net ju sjell detaje rreth gjetjeve të ZKA’së.

    Parregullsi në menaxhimin e subvencioneve për kopshtin publiko privat – u manipulua lista

    Auditori ka gjetur parregullësi në procesin e menaxhimit të subvencioneve për kopshtin publiko-privat “Botanika”, lidhur me vendimin e Ramës për subvencionimin e prindërve që regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës.

    Komuna kishte paguar 58 mijë e 820 euro në formë të subvencionimit për këtë kopsht. Sipas ZKA’së, listat e përgatitura nga kopshti, ishin manipuluar.

    “Listat ishin manipuluar duke raportuar të ardhurat e pasakta të prindërve që përfitojnë subvencion për fëmiun e tyre përmes përfshirjes në lista fëmijë përfitues që nuk i plotësonin kriteret për subvencionim; dhe u vërejtën tërheqje përmes bankomatit në vlerë prej 46,320€”, thuhet në raport.

    Nga 14 mostra të testuara, ZKA ka gjetur se shtatë prindër kishin paguar tarifën e plotë mujore, pavarësisht se kopshti kishte përfituar subvencione në emër të tyre në vlerë 3 mijë e 900 euro.

    “Katër (4) fëmijë që nuk kanë ndjekur kopshtin gjatë vitit 2024 ishin përfshirë në lista dhe kopshti kishte përfituar subvencione për ta në vlerë totale prej 3,150€”, theksohet në raport.

    Për qëllime të pagesës së subvencioneve, kopshti kishte ofruar në Komunë gjendjen e llogarisë bankare si dëshmi për verifikimin e pagesave mujore të prindërve për fëmijët e subvencionuar.

    “Mirëpo, kjo dëshmi ishte falsifikuar pasi që të dhënat e prezantuara në llogarinë bankare të dorëzuar nuk përputheshin me të dhënat reale të pagesave mujore nga prindërit. Për shembull, prindi kishte paguar tarifën e plotë mujore prej 150€, ndërsa në gjendjen e llogarisë bankare të prezantuar në Komunë kjo pagesë ishte paraqitur si 50€, me qëllim që të arsyetohej përfitimi i subvencionit”, ka gjetur raporti.

    Auditori ka gjetur shkelje serioze edhe në tenderin milionësh që Komuna e dha për pastrimin e Prishtinës, ndonëse e kishte “në shtëpi” kontratën me Pastrimin

    Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka dhënë tender në vlerë prej 1 milion euro me negocim, edhe pse nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për ta përdorur këtë procedurë. Fjala është për kontratën “Ofrimi i makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave komunale”.

    Komuna e kishte dhënë këtë tender milionësh me afat njëvjeçar, ndonëse e kishte një kontratë aktive, siç theksohet “në shtëpi”, me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, ku vetë është aksionare, e që e kishte lidhur në fund të shkurtit të vitit 2024, për të njëjtat shërbime.

    “Komuna kishte kohë që ishte në dijeni për problemet me operatorin ekzistues KRM “Pastrimi”, përmes ankesave të qytetarëve dhe vërejtjeve të përsëritura për moszbatim të detyrimeve sipas kontratës. Kjo situatë tregon se nevoja për angazhim shtesë të makinerisë nuk ishte e paparashikueshme”, thekson raporti.

    Lidhja e kontratave pa i pasur krejt paratë

    Gjetja tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës është hyrja në obligime kontraktuale, ndonëse nuk kishte mjete të mjaftueshme.

    Si shembull përmendet projekti “Ndërtimi i Qendrës për Punë Sociale” me vlerë 2 milionë e 898 mijë e 964 euro, me afat për përfundimin e punimeve prej 240 ditë kalendarike. Sipas Ligjit të Buxhetit, Komuna kishte të ndara mjete buxhetore për këtë projekt për periudhën 2024–2026, në vlerë totale prej 1.5 milion euro, që i bie se ka hyrë në obligime kontraktuale pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore, në shumën prej 1 milion e 398 mijë e 964 euro.

    “Gjithashtu, është vërejtur mospërputhje në dokumentet planifikuese të projektit në Deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së fondeve sepse ishte parashikuar vlera prej 2,916,477€ e cila tejkalon vlerën e buxhetuar të projektit, ndërsa në planin e prokurimit për vitin 2024 ky projekt ishte planifikuar të realizohej vetëm në shumë prej 500,000€”, thuhet në raport.

    Sipas ZKA’së, kjo ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit, si dhe mungesës se planifikimit.

    Nisja e procedurave të prokurimit pa leje ndërtimore

    Pikërisht për këtë projekt, Komuna ka bërë një tjetër shkelje, duke filluar procedurat e prokurimit ndonëse nuk kishte leje ndërtimore.

    Leja ndërtimore për këtë objekt ishte lëshuar në shkurt të këtij viti, teksa kontrata ishte nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar.

    “Edhe pse në këtë rast punimet nuk kishin filluar pa lejen ndërtimore, procedura është zhvilluar në kundërshtim me rendin ligjor, pasi leja është një dokument parakusht për nënshkrimin e kontratës”, thekson raporti.

    Të njëjtin veprim, Komuna e ka përsëritur edhe për ndërtimin e rrugës në lagjen Kodra e Trimave, me vlerë kontrate prej gati 600 mijë euro.

    Sipas Auditorit, punimet për këtë projekt kishin filluar para dhënies së pëlqimit nga Drejtoria e Urbanizmit.

    “…është vërejtur se punimet kishin filluar më 22.07.2024, ndërsa vendimi për dhënien e pëlqimit nga Drejtoria e Urbanizmit është lëshuar më 01.08.2024, pra pas fillimit të punimeve dhe pas nënshkrimit të kontratës më 03.07.2024”.

    ZKA ka nënvizuar se në të dy rastet, kërkesat për leje ndërtimore janë dorëzuar pas njoftimeve për kontratë.

    Pagesa në vlerë 5.2 milionë euro si paradhënie në kundërshtim me ligjin

    Në shtator të vitit 2024, Komuna kishte lidhur një marrëveshje kontraktuale me UNDP’në për ndërtimin e sallës multifunksionale, sallës koncertale te-ish objekti i Gërmisë. Këto projekte ishin paraparë të përfundojnë më 31 gusht të vitit 2025.

    Përmes marrëveshjes, Komuna ishte ishte dakorduar me UNDP që në kundërvlerë të projektit t’i transferoj në formë parapagimi një vlerë të kostos prej 5 milionë e 120 mijë euro. Auditori i referohet një raporti të UNDPS’së, ku thuhet se kjo e fundit do të participonte me vetëm 100 mijë euro, e që kjo pjesë nuk ishte përfshirë fare në marrëveshje, teksa meanxhimi dhe përgjegjësia e zbatimit të procedurave për ekzekutimin e projektit i ishte ngarkuar UNDP’së.

    ZKA ka gjetur se kjo marrëveshje, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Ligjin e Buxhetit për vitin 2024 për shkak se Komuna kishte deleguar të gjitha përgjegjësitë për zhvillimin e procedurave të prokurimit tek UNDP, por edhe kishte transferuar në formë të parapagimit të gjitha fondet tek UNDP.

    “Transferi i vlerës se përgjithshme të fondeve prej 5,120,000€ është realizuar, si në vijim: në shtator, 3 pagesa në vlerë 900,000€, në tetor 3 pagesa në vlerë 1,200,000€, në nëntor 2 pagesa në vlerë 300,000€; dhe në dhjetor 3 pagesa në vlerë 2,720,000€”, theksohet në raport.

    E ndonëse fondet janë transferuar, projekti ende është në fazën fillestare. Kjo i është konfirmuar Auditorit edhe nga komuna e Prishtinës.

    Kontrata të reja milionëshe për shërbime të njëjta me ato ekzistuese

    Në raportin e Auditorit përmendet edhe kontrata për arkitektin e Kryeqytetit, në vlerë 12 milionë euro. Kjo kontratë përfshin përgatitjen për standardizimin dhe dizajnin e projekteve të ndërtimit, planeve urbanistike, hartave zonale. Gjithashtu përfshin edhe konsulencë dhe projektime të arkitekturës për nevoja emergjente të Kryeqytetit, organizimin e konkurseve, ekspozitave, angazhim të ekipeve vlerësuese, shërbime ndihmëse profesionale për nevojat e drejtorive, etj.

    E ndonëse Komuna e ka pasur këtë kontratë aktive, në shkurt të vitit 2024, ka lidhur kontratë tjetër në vlerë 1.2 milion euro për konkursin dhe projektimin e objektit “Art & Technology Hub – Tulltorja”.

    Sipas ZKA’së, shërbimet e kësaj kontrate janë të njëjta si të asaj 12 milionëshe dhe se do të mund të mbuloheshin përmes kontratës ekzistuese.

    “Ky projekt nuk ishte i paraparë as në planifikimin e prokurimit, ndërsa nuk kemi marrë arsyeshmëri nga njësia e kërkesës. Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve lidhur me vlerësimin dhe vendosjen e specifikave për projekte në procesin e tenderimit.”.

    Shpërblimi i kompanive të papërgjegjshme me kontrata

    Raporti vë në pah edhe përzgjedhjen e kompanive të papërgjegjshme nga ana e Komunës dhe shpërblimi i tyre me tenderë në tri raste.

    Një prej rasteve është pikërisht lidhur me konkursin e projektimit të “Art & Technology Hub – Tulltorja”, saktësisht tek dëshmitë e kërkuara për stafin profesional.

    Aty kërkoheshin dy Inxhinier të Diplomuar të Arkitekturës – MSc në Arkitekturë (300 ECTS) me përvojë pune në projektim minimumi 5 vite pas diplomimit si dhe të kenë referenca në punë të natyrës se ngjashme.

    “Gjatë auditimit kemi vërejtur se për kandidatët e propozuar mungonin referencat që dëshmojnë përvojën e tyre në projekte të ngjashme. Kjo bie ndesh me kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe përbën mangësi në vlerësimin e kapaciteteve të stafit të propozuar”, është një prej gjetjeve.

    Gjetje të ngjashme ka edhe për dy kontrata tjera.

    Ndryshime buxhetore pa aprovim të Kuvendit Komunal

    Sipas raportit, Komuna kishte bërë ndryshime buxhetore për projekte kapitale pa aprovim të Kuvendit Komunal.

    Aty përmenden 17 raste të tilla, teksa theksohet se pagesat janë kryer me urdhëresë të Ramës.

    “Gjatë auditimit kemi vërejtur se për 17 pagesa të investimeve kapitale, me vlerë totale 3,400,807€, fondet janë marrë nga projekte të tjera të aprovuara në ligjin e buxhetit. Në 11 raste⁶, në vlerë 2,178,572€, pagesat janë realizuar me urdhëresë të Kryetarit të Komunës, bazuar në kërkesat e drejtorive përkatëse. Mirëpo, për këto ndryshime nuk është marrë aprovimi paraprak nga Kuvendi Komunal, siç kërkohet me ligj”.

    Vonesa për realizimin e projekteve

    Raporti vë në pah edhe vonesat në realizimin e projekteve.

    “Në nëntë (9) raste kemi vërejtur se punimet nuk ishin realizuar konform planit dinamik siç parashihej me kontratë”.

    Në mesin e tyre është edhe kontrata për “Ndërtimin e kolektorit te vazhdimi i rrugës B (faza e 4) me vlerë të kontratës prej rreth 400 mijë euro. Sipas afatit, kjo do të duhej të përfundonte para rreth një viti.

    “Kontrata “Ndërtimi i kolektorit te vazhdimi i rrugës B (faza e 4) me vlerë të kontratës prej 399,700€, ende nuk kishte përfunduar ani pse me plan dinamik data e përfundimit të punimeve është 60 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës 22.04.2024”, thuhet në raport.

    Ndryshime në kontrata pa aprovimet e duhura

    Komuna del se ka bërë edhe ndryshime në kontrata pa aprovimet e duhura.

    “Ne kemi vërejtur se në dhjetë (10) kontrata për punë identifikuar kishte pasur ndryshime të sasive të realizuara nëpër disa pozicione, duke rritur/zvogëluar sasinë e kontraktuar apo në disa raste duke mos realizuar fare pozicionet e kontraktuara, por pa rritur çmimin total të kontratës, të autorizuara nga menaxherët e kontratave. Për këto ndryshime, nuk kishte amandamentim të kontratës”.

    Një prej rasteve është edhe kontrata për ndërtimin e rrugës A, pjesa e parë.

    “Në kontratën “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” në vlerë 8,497,801€, kishte rritje të sasive të realizuara në pesë pozicione të kontratës në vlerë 102,307€, apo deri në 284% rritje të sasive në pozicionet e kontraktuara”, përmend raporti.

    Vonesat për pagesat e faturave

    Tek gjetjet e ZKA’së përmenden edhe vonesat në pagesën e faturave dhe kostoja shtesë për komunën si rezultat I ekzekutimit të pagesave përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.

    “Nga mostrat e testuara kemi identifikuar se Komuna në vitin 2024 kishte paguar 1,074,473€, në emër të kamatave dhe procedurave përmbarimore, si pasojë e pagesave me vendime gjyqësore. Në total, pagesat përfshirë borxhin dhe kamatat ishin 3,511,845€, ku për mallra dhe shërbime janë paguar 250,405€ dhe investime kapitale 3,261,440€. Po ashtu, nga testimi i mostrave në tri (3) raste tek investimet kapitale me vlerë të përgjithshme prej 330,332€, dhe në tek mallra dhe shërbimet në nëntë (9) raste të testuara në vlerë totale prej 812,859€, kemi vërejtur se faturat ishin vonuar për pagesë, përtej afatit ligjor prej 30 ditësh. Vonesat në pagesë kanë qenë nga 12 deri në 316 ditë”, thuhet në raport.

    Gjetja tjetër është për subvencionimin e organizatave joqeveritare pa thirrje publike.

    Fjala është për subvencionimin e Klubit Basketbollistik “Sigar Prishtina”, në vlerë prej 50 mijë euro, pa shpallur thirrje publike dhe pa lidhur marrëveshje me përfituesin.

    “Subvencioni është miratuar vetëm me vendim të Kuvendit Komunal. Kjo kishte ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së përgjegjësisë për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me subvencionimin e OJQ-ve”, gjen auditori.

    Mosrepsketim i hapave për pagesa

    Në 31 raste të pagesave në vlerë 4 milionë e 382 mijë e 79 euro, del se nuk ishin respektuar hapat e përcaktuara për procedim të pagesave, pasi që urdhërblerjet ishin procesuar pas pranimit të faturës dhe në 27 pagesa në vlerë 3 mijë e 172,852 euro  zotimet ishin hartuar dhe nënshkruar pas pranimit të faturës.

    Për të gjitha këto shkelje, Komuna e Prishtinës është pajtuar./Reporteri.net

    Auditori gjen shkelje serioze në tenderin milionësh që Komuna e dha për pastrimin e Prishtinës, e kishte “në shtëpi” kontratën me Pastrimin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!