×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori gjen një mal shkeljesh në Komunën që qeveriset nga LDK

    Reporteri
    26 Qershor 2019 | 23:20

    Probleme të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Komunën e Pejës që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.


    Menaxhim jo adekuat i pronave komunale të dhëna me qira, parregullsi në menaxhimin e tatimit në prone, menaxhim jo adekuat i dosjeve të personelit, mangësi në menaxhimin e angazhimit përmes kontratave të përkohshme, mangësi në çertifikimin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave, mangësi në procedurat e prokurimit, janë disa prej gjetjeve të Auditorit.

    Sipas Ligjit 04l/144, dhënia e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim bëhet përmes konkurrencës së hapur publike.

    Auditori thotë se Komuna nuk kishte një data bazë të saktë dhe të plotë të pronave të dhëna me qira.

    “Na janë ofruar lista të ndryshme ku njëra kishte 42 prona me qira, kurse tjetra kishte 29 prona me qira. Këto prona ishin dhënë pa ankand me përjashtim të një prone që në vitin 2018 ishte dhënë me ankand. Në tri raste nuk kishte informata në lidhje me kohën e dhënies me qira dhe afatin e skadimit të kontratave”, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    Auditori ka hasur edhe në mangësi në procesin e përzgjedhjes dhe mbikëqyrjes së marrëveshjes.

    Komuna e Pejës ka financuar me 18,673€ ndërtimin e një depo-frigoriferi në pronën private të një fermeri me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve për ngritjen dhe ruajtjen e mjedrës në komunën e Pejës.

    Marrëveshja ishte arritur për 10 vite ku depo- frigoriferi do të jetë në pronësi të Komunës.

    Auditori ka vërejtur se përzgjedhja e përfituesit nuk ishte bërë përmes procedurës së shpalljes publike ashtu siç kërkohet me nenin 12 të Rregullores komunale Nr.01-2017 për ndarjen e subvencioneve, por këtë e kishte bërë bazuar vetëm në kërkesën e fermerit dhe marrëveshjen e tij me disa fermer tjerë kultivues të mjedrës; dhe marrëveshja e arritur nuk e obligonte përfituesin për të raportuar lidhur me zbatimin e kushteve të marrëveshjes, kërkesë kjo e nenit 1312 dhe 2313 të rregullores komunale.

    Komuna nuk kishte paraparë ndonjë mekanizëm mbikëqyrës/garantues për zbatimin e kushteve të marrëveshjes.

    Tjetër parregullsi Auditori ka gjetur në menaxhimin e tatimit në pronë.

    Ligji mbi tatimin në pronë nr. 03/L-204, në nenin 9, përcakton që çdo pronari (personi) i lejohet zbritja prej 10,000€ nga vlera e tatueshme e pronës primare (kryesore).

    Auditori ka identifikuar 9 raste, ku nuk ishte respektuar kjo kërkesë ligjore, duke aplikuar zbritjen prej 10,000€, për dy apo më tepër prona të regjistruara si banim kryesor për të njëjtin tatimpagues, shkruan Reporteri.net.

    Menaxhim jo adekuat i dosjeve të personelit është një e gjetur tjetër.

    Auditori thotë se Komuna e Pejës nuk kishte arritur ende të kompletoj dosjet e personelit në përputhje me Rregulloren Nr. 03/2011 mbi dosjet dhe regjistrin për shërbyesit civil dhe dosjet në sektorin e arsimit.

    “Ne kemi vërejtur se: dosjeve të shërbyesve civil, në katër raste ju mungonin dokumentet si: çertifikata e shtetësisë dhe vendbanimit, çertifikata nën hetime, vërtetimi i përvojës së punës, formulari i vlerësimit të performancës, dhe dëshmi tjera që kërkohen të jenë pjesë e dosjeve të personelit; dhe në dosjet e punonjësve të arsimit, në katër raste mungonte vlerësimi i përformances, kërkesë kjo e UA nr.14/2013 të Ministrisë së Arsimit.
    Mangësitë ishin të shkaktuara kryesisht nga neglizhenca dhe pakujdesia në plotësimin dosjeve. Mangësi në menaxhimin e angazhimit përmes kontratave të përkohshme”, thuhet në raport.

    Auditori thotë se Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 51 punonjës, prej tyre 6 janë angazhuar me Ligjin e Punës dhe 45 prej tyre ishin me marrëveshje për shërbime të veçanta (MSHV) bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil.

    “Në 456 raste angazhimet me MSHV ishin bërë pa ndonjë procedurë të thjeshtuar të rekrutimit, përkundër që neni 12 i Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil, përcakton se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet bërë me procedura të thjeshtuara të rekrutimit. Po ashtu, vërehet se stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta7 të punës”, thuhet në raport.

    Komuna e Pejës ka bërë edhe keq klasifikim të shpenzimeve kapitale.

    Ligji Nr. 06/L-020 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 dhe plani kontabël definojnë qartë se shpenzimet duhet të ndodhin nga kategoritë adekuate ekonomike.

    Auditori ka identifikuar pesë raste në të cilat kishte pasur keq klasifikim të shpenzimeve kapitale kryesisht për shkak të keq buxhetimit.

    “Nga investimet kapitale ishin paguar 4,752€ për furnizimin me 10 aparate oksigjeni për QKMF. Po ashtu, për furnizim me pelet ishin paguar 1,000€, dhe 612€ për furnizimin me kompjuter. Këto furnizime për nga natyra i takojnë mallrave dhe shërbimeve;
    Nga investimet kapitale ishin paguar 17,353€ për blerjen e makinave për mjeljen e lopëve për fermerët e komunës ndonëse natyra e kësaj pagese ishte e natyrës së subvencioneve; dhe nga investimet kapitale ishin paguar 73,068€ sipas vendimit gjyqësor/përmbarimor – për dëmshpërblimin e një nxënëse e cila kishte pësuar lëndime fizike/psikike nga shpërthimi i kalldatores së ngrohjes qendrore në një shkollë fillore”, thuhet në raport.

    Sipas zyrtarëve të komunës, arsyeja ishte se ndarjet buxhetore në kategorinë e mallrave/shërbimeve dhe subvencioneve ishin tejet të ulëta ndërsa nevojat e mëdha.

    Mangësi tjetër e gjetur në këtë komunë është edhe çertifikimi i pagesave dhe menaxhimi i kontratave.

    Në tre raste Auditori ka evidentuar mangësi në çertifikimin e pagesave, dhe menaxhimin e kontratave.

    “Në pagesën prej 19,913€ për mirëmbajtjen e shkollave kemi evidentuar se montimi i kalldasë për ngrohje në vlerë prej 900€ ishte faturuar dhe paguar në dy herë. Pas trajtimit tonë është korrigjuar gabimi financiar; në pagesën prej 73,182€ për “Ndërtimin e shkollës së muzikës Halit Kasapolli” kemi evidentuar se për tre pozicione8 çmimet e faturuara ishin më të larta se çmimet e kontraktuara, si rezultat janë paguar rreth 1,065€ më shumë se që është dashur; dhe te kontrata “Ndërtimi i shkollës së mesme të artit Odhise Paskali”, përmes ekzaminimit fizik kemi verifikuar se furnizimi me material dhe punimi i shkallëve metalike të kombinuara me dru nuk ishte realizuar edhe pse pagesa ishte lëshuar duke u bazuar në situacionin për pranimin e punëve. Sipas menaxherëve të kontratës pozicionet janë të përfshira me një çmim dhe se nuk ka pasur mundësi që të bëhet ndalja e pagesës në mënyrë të veçantë për shkallët dhe punimi i shkallëve do të bëhet pasi që të përfundojnë të gjitha punët tjera të vrazhda në objekt për shkak të mos dëmtimit të tyre gjatë realizmit të punimeve”, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    Auditori pohon se kjo gjendje ishte për shkak të neglizhencës/pakujdesisë së menaxherëve të kontratave dhe çertifikuesit në aplikimin e kontrolleve efektive në shpenzimin e parasë publike.

    “Duhet theksuar se komuna pas vërejtjeve tona ka marrë masat e nevojshme dhe është dakorduar me operatorët ekonomik për kthimin e parasë publike në buxhetin e komunës”, thotë Auditori.

    Problem tjetër me të cilën përballet komuna e Pejës është mungesa e projektit ekzekutiv dhe planeve për menaxhimin e kontratave.

    Neni 20 pika 10 i Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (UOPP) kërkon që specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të veten.

    Auditori ka vërejtur se në 22 kontrata pune të nënshkruara komuna nuk kishte hartuar projekt ekzekutiv, por kishte iniciuar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë.

    “Komuna nuk kishte kapacitete të brendshme e as kompani të kontraktuar për hartimin e projekteve ekzekutive. Vetëm në rastet e ndërtimeve specifike janë shpallë/kontraktuar projektet ekzekutive. Mungesa e projekteve kryesisht ishte te asfaltimi i rrugëve dhe sipas zyrtarëve të komunës kjo ishte për shkak të mungesës së mjeteve financiare ku sipas tyre hartimi I projekteve ekzekutive po e rritë koston e asfaltimit të rrugëve; dhe në 4 kontrata pune kemi evidentuar se nuk ishte hartuar plani për menaxhimin e kontratës siç kërkohet me nenin 61.7 të UOPP-së”, thuhet në raport.

    Problem tjetër që ballafaqohet kjo komunë është vonesa në realizimin e kontratave.

    Nga pagesat e testuara, Auditori ka evidentuar vonesa në realizimin e punëve.

    “Në 7 kontrata të përfunduara kishte vonesa në realizimin e tyre prej 20 ditë kalendarike deri në 10 muaj; dhe në 4 kontrata11 tjera të cilat është dashur të përfundonin në vitin 2018, mirëpo ende nuk janë përmbyllur gjatë kohës që në ishim në ekzekutim të auditimit (prill 2019)”, thuhet në raport.

    Duhet theksuar se në asnjërin prej këtyre rasteve nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave ashtu siç kërkohet nga dosja e tenderit në nenin 17 dhe 18. Po ashtu, nuk kishte aplikim të penaleve.

    Auditori ka gjetur edhe mangësi në procedurat e prokurimit.

    Blerjet përmes prokurimit publik duhet të zhvillohen në pajtim me kërkesat e LPP-së, duke respektuar kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë.

    “Te kontrata për “Ndërtimin e murit mbrojtës të Lumbardhit nga kombinati i lëkur këpucëve deri te ura në tranzit” në vlerë prej 697,190€, kemi identifikuar se siguria e ekzekutimit nuk e mbulonte periudhën e realizimit të kontratës. Afati për realizimin e kontratës ishte 31.12.2020 ndërsa siguria e ekzekutimit skadon me 31.12.2019; dhe te aktiviteti i prokurimit “Ndërtimi i shkollës fillore të mesme të ulët në fshatin Leshan” nuk ishin përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit/njoftimit për kontratë lidhur me përvojën e punës për stafin profesional, përkatësisht menaxheri i projektit i caktuar nga operatori nuk e ka dëshmuar me kontratë por vetëm me CV edhe atë për 2 vite përvojë pune e jo 3 vite sa ishin kërkuar”, thuhet në raport.

    Auditori ka gjetur edhe pasojat e pagesave përmes vendimeve gjyqësore-përmbarimore.

    Neni 39 i LMFPP përcakton ZKF-në e organizatës buxhetore përgjegjës për të siguruar që çdo faturë e vlefshme të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim.

    Auditori tregon se ishin ekzekutuar pagesa në bazë të vendimeve gjyqësore në vlerë prej 539,411€.

    “Prej tyre borxhi kryesor ishte 478,284€, kamata për vonesa në pagesë dhe shpenzime procedural të gjykatës (përmbarimit) ishin 61,126€. Tejkalimi i afatit ligjor prej 30 ditëve në mungesë të buxhetit, ka ndikuar në marrjen e mjeteve nga kategoritë ekonomike jo adekuate. Kemi testuar dy pagesa të cilat janë ekzekutuar sipas vendimeve gjyqësore/përmbarimor, si: pagesa prej 20,151€ për “Digjitalizimin e Operatit Kadastral” – prej tyre borxhi kryesor ishte 17,857€, kurse shpenzimet tjera ishin 2,294€; dhe pagesa prej 73,068€14 për dëmshpërblimin e një nxënëse e cila kishte pësuar lëndime fizike/psikike nga shpërthimi i kalldatorës së ngrohjes qendrore në një shkolle fillore. Prej tyre borxhi kryesor ishte 56,675€, kurse shpenzimet tjera ishin 16,393€”, thuhet në raport.

    Në të dy rastet Komuna kishte kundërshtuar kryerjen e pagesave duke u bazuar në arsyet e dhëna megjithatë pretendimet e Komunës ishin të pasuksesshme për faktin që gjykata kishte vendosur jo në favor të Komunës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!