Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në kontratën që Komuna e Prishtinës ka lidhur me mikun e kryetarit Përparim Rama. Tenderi mbi 1 milion euro për projektimin e “Art & Technology Hub – Tulltorja” ishte dhënë, ndonëse nuk ishte në planet e prokurimit. Njëra nga kompanitë fituese ishte në pronësi të Bekim Ramakut, mik i Ramës.
Komuna e Prishtinës, ka kryer shkelje serioze në menaxhimin financiar për vitin 2024. Shqetësimet kryesore ngriten me tenderët që u dhanë nga Komuna.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në tri raste janë lidhur kontrata pa respektuar procedurat ligjore të prokurimit publik. Për më tepër, kontratat janë lidhur edhe pa u përmbushur kriteret e nevojshme.
ZKA ka gjetur shkelje në kontratën që Komuna e Prishtinës ka lidhur me për konkursin dhe projektimin e objektit “Art & Technology Hub – Tulltorja”.
Fitues i tenderit në një vlerë prej 1.2 milionë euro ishte shpallur grupi i kompanive “ORG Urbanisum& Architecture BV”; “Rafi Segal Architecture Urbanisem”; “O.U.D -ARCHITECTS SHPK”.
Dy ofertuesit e parë janë të huaj, ndërsa e treta “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” është me pronar te Bekim Ramkut. Ky i fundit mik i mirë me të parin e Komunës.
Kompanisë se mikut të Ramës iu dha kontrata milionëshe pa i plotësuar kriteret
Komuna ia dha tenderin 1.2 milionësh Bekim Ramkut, ndonëse nuk i plotësoi kriteret. Në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna ra ndesh me ligjin sepse kriteret që kërkoi në dosje, kompania fituese nuk i plotësoi.
Në auditim është vërejtur se në kërkesën për dëshmi në staf profesional, nuk janë dorëzuar referencat.
“Rregullorja 001/2022 për prokurim publik, neni 26.6 kërkon nëse Autoriteti Kontraktues kërkon çertifkata të hartuara nga organe të pavarura që kryejnë aktivitete të certifikimit për të vërtetuar se operatori ekonomik përmbush standarde të caktuara për sigurimin e cilësisë që bazohen në standarde kosovare, evropiane ose ndërkombëtare, secili anëtar i grupit do të dëshmoj se i përmbush standardet përkatëse. duhet të ofroj dëshmi për stafin profesional si: Dy (2) Inxhinier të Diplomuar të Arkitekturës – MSc në Arkitekturë (300 ECTS) me përvojë pune në projektim minimumi 5 vite pas diplomimit, të kenë referenca në punë të natyrës se ngjashme. Gjatë auditimit kemi vërejtur se për kandidatët e propozuar mungonin referencat që dëshmojnë përvojën e tyre në projekte të ngjashme. Kjo bie ndesh me kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe përbën mangësi në vlerësimin e kapaciteteve të stafit të propozuar.
Po, ashtu komisioni i vlerësimit kishte analizuar vetëm pjesën e konceptit të projektit dhe jo tërë dokumentacionin e ofertës si dokumentacionin që vërteton përmbushjen e kritereve të përshtatshmërisë teknike dhe profesionale.
“Anëtarët e komisionit deklaruan se kishin vlerësuar vetëm pjesën krijuese (konceptin), pa hyrë në aspektet ligjore dhe teknike të dokumentacionit. Megjithatë, raporti i vlerësimit të tenderit ishte i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit”.
Kontrata u dha për shërbime që tashmë veç se ishin paraparë në një kontratë tjetër të lidhur
Sipas auditimit ky projekt nuk ishte fare i paraparë dhe as i nevojshëm.
“Gjithashtu përfshin edhe konsulencë dhe projektime të arkitekturës për nevoja emergjente të Kryeqytetit, organizimin e konkurseve, ekspozitave, angazhim të ekipeve vlerësuese, shërbime ndihmëse profesionale për nevojat e drejtorive, etj. Gjatë auditimit kemi vërejtur se më 21.02.2024, Komuna kishte lidhur një kontratë me vlerë 1,200,000€ për konkursin dhe projektimin e objektit “Art & Technology Hub – Tulltorja”.
Shërbimet që kjo kontratë përfshinte janë të njëjta me një kontratë që veç se e kishte komuna. Pra, Komuna bëri lidhje të dyfishtë kontratash për të njëjtat shërbime.
“Kjo kontratë përfshin katër faza të plota të projektimit: projekti ideor i përpunuar, projekti skematik, projekti zbatues dhe plotësimi i dokumentacionit sipas kërkesave të Drejtorisë së Urbanizmit. Shërbimet e përfshira në këtë kontratë janë të natyrës së njëjtë me ato të përfshira në kontratën ekzistuese “Konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës” në vlerë prej 12,000,000€ e cila mbulon edhe nevoja të tilla projektimi varësisht kërkesave të Komunës“.
Ky projekt nuk ishte i paraparë as në planifikimin e prokurimit.
Auditori tha se lidhja e kontratës për projektim pavarësisht ekzistencës së kontratës aktuale për shërbime të ngjashme rrit rrezikun për mbivendosje të shërbimeve dhe shpenzime të dyfishta
Por, cila është lidhja e Ramës me kompaninë fituese?
Fitues i tenderit në një vlerë prej 1.2 milionë euro ishte shpallur grupi i kompanive “ORG Urbanisum& Architecture BV”; “Rafi Segal Architecture Urbanisem”; “O.U.D -ARCHITECTS SHPK”.
Dy ofertuesit e parë janë të huaj, ndërsa e treta “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” është e Bekim Ramkut.
I njëjti që mori kontratën pa i plotësuar kriteret është mik i kryetarit, Përparim Rama, raporton Insajderi.
Ramaku ishte edhe prezent edhe në dasmën e Ramës në vitin 2012.
Ai shihet në fotografi më Ramën edhe pasi ky i fundit është bërë kryetar i kryeqytetit.
Auditori i dha edhe rekomandime të fuqishme kryetarit për tenderët.
“Kryetari duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Po ashtu, përmes zyrtarëve përgjegjës të sigurojë se anëtarët e komisioneve i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në angazhimet përkatëse, dhe në rast të gabimeve eventuale këto të evidentohen nga zyrtarët e prokurimit para nënshkrimit të raportit të vlerësimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.