Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për nesër nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, shkruan Reporteri.net.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, AKK ka thënë se vendimi për mospjesëmarrje është i bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe në nevojën për ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë institucionale, e cila është shtyllë themelore për funksionimin dhe integritetin e institucionit.
Aty është cituar neni 21, paragrafi 1 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Kjo dispozitë nënvizon domosdoshmërinë që Autoriteti të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit dhe të kompetencave të tij, pa u përfshirë në formate politike, debate ad-hoc apo iniciativa të cilat nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore.
Për më tepër, në rrethanat aktuale ku Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është i konstituar, Autoriteti nuk është në pozitë institucionale për të ndër vepruar me grupe parlamentare, deputetë individualë apo organizime me natyrë politike jashtë kuadrit formal të Kuvendit”, ka thënë AKK./Reporteri.net