Kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar se ka marrë ftesë për të udhëtuar për në SHBA, ku do të marrë pjesë në Forumin e Lidershipit Parlamentar që organizohet nga Kongresi amerikan.
Ai, ndër të tjera, ka treguar edhe agjendën e këtij Forumi, i cili do të trajtojë tema si funksionimi i legjislativit, marrëdhëniet ndërpartiek dhe të ngjashme, shkruan Reporteri.net.
“Me ftesë të Kongresit, sot po udhëtoj për në ShBA. Jam i ftuar si anëtar i Kuvendit të Kosovës, pasi e udhëheq grupin kryesor opozitar, për të marrë pjesë në Forumin e Lidershipit Parlamentar që organizohet nga Kongresi”, ka thënë Hoti.
Mirëpo, ani pse temë e Forumit do të jetë marrëdheniet ndërmjet partive, Hotit nuk i ka pëlqyer të jetë pjesë e delegacionit me askënd. Sipas tij, ai do të përfaqësoje vetëm LDK-në.
“Unë nuk jam pjesë e delegacionit të askujt, siç është raportuar mbrëmë në RTK. Në këtë Forum, unë e përfaqësoj Grupin Parlamentar të LDK-së që është grupi përcaktues i zhvillimeve në Kuvend. E lus redaksinë e RTK-së ta përmirësojë këtë lajm. Nëse zyra e Kryetarit të Kuvendit e ka lëshuar një deklaratë të tillë, atëherë deklarata duhet të përmirësohet”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së e ka publikuar ftesën që i ka ardhur nga Kongresi, duke theksuar me vijë të kuqe pjesën ku duket emri i tij./Reporteri.net